Zgjatet armëpushimi në Gaza
BKT
Rajoni dhe Bota

Zgjatet armëpushimi në Gaza

F. Bekqeli / RTK

Armëpushimi i përkohshëm midis Izraelit dhe Hamasit u zgjat për të shtatën ditë, konfirmoi ushtria izraelite, disa minuta para se të skadonte. Hamasi konfirmoi gjithashtu zgjatjen e armëpushimit.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se "pauza operacionale do të vazhdojë" mes bisedimeve për lirimin e më shumë pengjeve. Në orët para përfundimit të afatit, si Izraeli ashtu edhe Hamasi, shtuan retorikën luftarake. Hamasi i tha krahut të tij ushtarak të ishte gati për luftim, pasi ushtria izraelite tha se ishte e përgatitur për fazën tjetër të luftës.

Gjatë pauzës gjashtëditore të luftimeve, 97 pengje shtetas izraelitë dhe të huaj janë liruar nga Gaza, ndërsa 210 palestinezë janë liruar nga burgjet izraelite, thanë zyrtarët.

Ndërkohë, ushtria izraelite tha se po vlerësonte një pretendim të Hamasit se pengu më i ri izraelit, Kfir Bibas 10 muajsh, vëllai i tij dhe nëna e tij kanë vdekur.

Në një zhvillim tjetër, tre persona janë vrarë në Jerusalem, sipas zyrtarëve izraelitë të cilët thonë se dy sulmues u vranë nga policia dhe një civil i armatosur. Dy personat e armatosur thuhet se hapën zjarr në një stacion autobusi gjatë orës së pikut të mëngjesit.

Shërbimi i ambulancës thotë se të paktën gjashtë persona janë lënduar, disa në gjendje kritike. Në anën tjetër, qindra kamionë me ndihma u rreshtuan për të kaluar në Gaza nga Egjipti të mërkurën, tha një zyrtar egjiptian për CNN. Por niveli i ndihmës dhe karburantit që hyn në Gaza mbetet i pamjaftueshëm, edhe me armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres.

Ndërkohë, sistemi shëndetësor i Gazës veriore ka humbur mbi 60% të kapacitetit të tij në të gjitha spitalet e tij, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota