4 persona vriten në një sulm me thikë në Queens të Nju Jorkut
Hanife Osmani / RTK
Në sulmin me thikë kuzhine ndaj vetë familjareve të tij 4 persona u vranë dhe 3 mbetën të plagosur ne Queens të Nju Jorkut. I dyshuari mashkull 39 vjeçar u neutralizuar pas përballjes me policinë, raportuan autoritetet.
Katër persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur pas një sulmi me thikë në Queens të Nju Jorkut. Për rastin policia ishte njoftuar nga banorë të lagjes në orët e hershme të së dielës kur panë një person mashkull që po dilte jashtë me bagazhe. Sipas autoriteteve policore me të mbërritur gjeti viktimat brenda shtëpisë ku të njëjtës i ishte vënë zjarri.
I dyshuari mashkull i quajtur Courtney Gordon 39-vjeçar goditi me thikë edhe dy policë para se të qëllohej nga policia. I dyshuari u dërgua në spital, por u deklarua i vdekur pas mbërritjes. Në një konferencë për shtyp në Spitalin Xhamajka, policia konfirmoi se ata morën një telefonatë në 05:10 të mëngjesit me orën lokale, kur një telefonuese femër deklaroi se kushëriri i saj po vret anëtarët e familjes së tij.
Policia beson se të gjitha viktimat kanë vdekur si pasojë e plagëve të marra me thikë kuzhine. I dyshuari Courtney Gordon kishte një arrestim paraprak për dhunë në familje në Bronx. Ndërsa hetimet për rastin sipas autoriteteve ende nuk kanë mbaruar.























