Zgjerohet operacioni në Gaza
Dardan Ramabaja / RTK
Ushtria izraelite ka njoftuar se forcat e saj po përballen me luftëtarët e Hamasit në të gjithë Rripin e Gazës, duke dhënë indikacione se ofensiva e planifikuar tokësore në jugun e mbushur me refugjatë të enklavës ka nisur pasi bombardimet izraelite vranë dhe plagosën dhjetëra palestinezë.
Luftimet rinisën të premten pas një pauze shtatë-ditore në luftimet mes forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit, të cilat kishin lejuar shkëmbimin e 105 pengjeve të mbajtura nga Hamasi, shumica prej tyre izraelitë, për 240 të burgosur palestinezë.
Dhuna e fundit ndodhi pavarësisht thirrjeve nga SHBA që Izraeli të kufizonte viktimat civilëve palestineze në fazën e re të ofensivës së tij, të fokusuar në jug.
Banorët e Gazës thanë të dielën se kishin frikë se një ofensivë tokësore izraelite në zonat jugore ishte e afërt. Tanket kishin prerë rrugën mes Khan Younis dhe Deir Al-Balah në qendër të Gazës, duke e ndarë në mënyrë efektive Rripin e Gazës në tri pjesë.
Të hënën në mëngjes, ushtria izraelite i postoi X një deklaratë me urdhra të reja për banorët e Gazës për të evakuuar në rreth 20 zona ose blloqe në Rripin e Gazës, me tri shigjeta në hartë që të gjitha në drejtim të jugut që tregojnë se ku duhet të shkojnë njerëzit.
Izraeli thotë se është duke përcaktuar "zona të sigurta" për civilët e Gazës për të minimizuar dëmin ndaj tyre, por zyrtarët e OKB-së dhe njerëzit në Gaza thonë se është e vështirë t'i vëmë veshin këtyre urdhrave në kohë reale, duke pasur parasysh aksesin e pakët në internet dhe energjinë elektrike.
Ndërkohë Zyrtari i Hamasit me bazë në Liban, Osama Hamdan tha të dielën se nuk ka zona të sigurta.
Bombardimet nga aeroplanët e luftës dhe artileria u përqendruan gjithashtu në Khan Younis dhe Rafah, një qytet tjetër në jug të Gazës, sipas banorëve, ku spitalet po përpiqeshin të përballonin të plagosurit.
Zëdhënësi i qeverisë izraelite Eylon Levy tha se ushtria kishte goditur më shumë se 400 objektiva gjatë fundjavës "duke përfshirë sulme të gjera ajrore në zonën Khan Younis" dhe gjithashtu kishte vrarë militantët e Hamasit dhe kishte shkatërruar infrastrukturën e tyre në Beit Lahiya në veri.























