Luftime të ashpra në Gazë
Dardan Ramabaja / RTK
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se një skenar edhe më djallëzor është gati të shpaloset në Rripin e Gazës, pasi Izraeli ka intensifikuar ofensivën në jug të provincës.
Forcat izraelite vazhduan me bombardimet e tyre ajrore dhe tokësore në Rripin jugor të Gazës, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra palestinezë, edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe OKB vazhdimisht i kërkuan që të mbrojnë civilët.
Ushtria izraelite thotë se po ndërmerr veprime "agresive" kundër Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Khan Younis në jug të Gazës.
Është urdhëruar evakuimi i një të pestës së qytetit - dhe zona thuhet se ka parë bombardime të tjera të rënda gjatë natës.
Banorët dhe gazetarët në terren thanë se sulmet ajrore intensive izraelite në jug të enklavës bregdetare me popullsi të dendur përfshinin zona ku Izraeli u kishte thënë njerëzve të kërkonin strehim.
Në OKB, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres i bëri thirrje Izraelit që të shmangë veprimet e mëtejshme që do ta përkeqësonin situatën tashmë të rëndë humanitare në Gazën e drejtuar nga Hamasi dhe t'i kursente civilët nga vuajtjet e mëtejshme.
Izraeli pushtoi kryesisht gjysmën veriore të Gazës në nëntor, dhe që prej rënies së armëpushimit njëjavor të premten, ata janë futur me shpejtësi thellë në gjysmën jugore.
Rreth 100 kamionë ndihma hynë në Gaza në secilën prej dy ditëve të fundit, por dërgesat po pengohen nga luftimet.























