Scholz: Izraeli ka të drejtë të eliminojë Hamasin
ATSH
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka mbrojtur të drejtën e Izraelit për të ndjekur eliminimin e grupit militant palestinez Hamas në Gaza, ndërsa luftimet në të gjithë rripin vazhdojnë të intensifikohen dhe zgjerohen.
Scholz tha se Berlini i ka qëndruar vazhdimisht mesazhit se Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes kundër kërcënimeve të paraqitura ndaj vendit.
“Qëndrimi ynë është se Izraeli duhet të ketë gjithashtu të drejtën të mposht Hamasin dhe ta pengojë atë të vazhdojë të kryejë akte terrori”, tha ai.
Scholz vuri në dukje se Berlini ka mbrojtur propozimet për pauza humanitare gjatë luftimeve.
Por, ai tha se qeveria e tij nuk po kërkon një armëpushim të përhershëm pasi Izraeli duhet të jetë në gjendje të vazhdojë të ndjekë mundësinë e mposhtjes së Hamasit.
Më herët, kryediplomatja gjermane i kërkoi Izraelit të respektojë të drejtat e njeriut në Rripin e Gazës, edhe pse përsëriti të drejtën e Izraelit për të luftuar.
“Çështja qendrore është se si realizohet kjo e drejtë për vetëmbrojtje. Ekziston një përgjegjësi për të lehtësuar vuajtjet e civilëve, veçanërisht në këtë fazë”, u tha dje Baerbock ligjvënësve të Partisë së Gjelbër gjatë një konference.
Baerbock tha se gjatë udhëtimeve të saj diplomatike në Lindjen e Mesme, ajo ka kërkuar t’u bëjë të qartë zyrtarëve izraelitë se terrori mizor i Hamasit kundër Izraelit mund të përfundojë vetëm nëse bëjmë gjithçka që mundemi së bashku për t’u dhënë palestinezëve perspektiva për të ardhmen.























