Blinken i bën thirrje Izraelit që të bëjë më shumë për t`i mbrojtur civilët
BKT
Rajoni dhe Bota

Blinken i bën thirrje Izraelit që të bëjë më shumë për t`i mbrojtur civilët

Flutura Bekqeli / RTK

Pas takimit me sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Cameron, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bëri kritikën më të fortë publike deri më tani për Izraelin, në këtë fazë të luftës.

Antony Blinken ka thënë se ka një "hendek" midis qëllimit të Izraelit për të mbrojtur civilët dhe mënyrës se si po shpaloset lufta në Gaza.

Blinken ka thënë se "mbetet e domosdoshme që Izraeli të ketë kujdes të shtuar për mbrojtjen civile". Izraeli në anën tjetër këmbëngul se po merr hapa për të minimizuar dëmtimin e civilëve. Por ditët e fundit, qindra janë vrarë, përfshirë në zonat ku njerëzve u ishte thënë më parë të kërkonin siguri.

Izraeli tha se do të hapë vendkalimin kufitar Kerem Shalom midis Izraelit dhe Gazës për inspektimin e kamionëve me ndihma në "ditët e ardhshme", një veprim i mirëpritur nga Kombet e Bashkuara, të cilat tha se do të ndihmonin në dhënien e ndihmës humanitare më jetike.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë të premten se kanë kryer sulme në më shumë se 400 objektiva në Gaza gjatë ditës së kaluar, numri më i lartë i raportuar që nga përfundimi i armëpushimit me Hamasin një javë më parë. Në një operacion të veçantë të kryer gjatë natës, marina izraelite goditi dhjetëra vende të përdorura nga forcat detare të Hamasit në Gaza qendrore dhe jugore, tha ushtria izraelite.

E në zhvillime tjera, forcat izraelite kanë vrarë gjashtë palestinezë të premten në një kamp refugjatësh në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, ka thënë ministria palestineze e shëndetësisë. Ajo pretendon se ata u vranë në kampin Al-Fara pranë Tubas.

Agjencia palestineze e lajmeve Wafa thotë se disa persona të tjerë u plagosën gjithashtu. Ka pasur një rritje të dhunës në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas më 7 tetor.

Të paktën 17,177 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori, tha të enjten një zëdhënës i ministrisë së shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi. Rreth 46,000 njerëz janë plagosur, dhe shumica e të plagosurve janë fëmijë, gra dhe të moshuar, shtoi ai.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota