KS i OKB-së diskuton për armëpushim në Gazë
BKT
Foto arkiv
Rajoni dhe Bota

KS i OKB-së diskuton për armëpushim në Gazë

Bardhyl Bajrami/RTK

Në Nju-Jork është mbledhur Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të diskutuar rreth një rezolute për armëpushim në Gazë. Rezoluta e sotme është iniciuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Mirëpo, gjatë seancës, Izraeli përmes ambasadorit të tij në OKB, Gilad Erdan, i ka hedhur poshtë thirrjet për armëpushim. Armëpushimin e menjëhershëm nuk e kanë përkrahur as Shtetet e Bashkuara përmes ambasadorit të saj Robert Wood.

Kjo vetëm se, siç ka thënë ambasadori, do të mbillte farën për luftën e ardhshme pasi Hamasi nuk ka dëshirë të shohë një paqe të qëndrueshme.

Këshillit të Sigurimit i është drejtuar edhe Riyad Mansour, përfaqësues i Autoritetit Palestinez, i cili ka thënë se Izraeli do që Gazën ta bëjë të pabanueshme. Qëllimi i Izraelit është i qartë edhe është që t’i largojë njerëzit me dhunë nga aty.

Ndërsa sekretari Guteres ka thënë se sulmet e Hamasit nuk mund ta justifikojnë ndëshkimin kolektiv të palestinezëve. Brutaliteti i sulmeve të 7 tetorit nga Hamasit në Izrael nuk e shfajëson Izraelin nga shkeljet e ligjit humanitar. Guteres ka thënë se banorëve të Gazës u është urdhëruar që të largohen nga aty pa pasur një destinacion dhe pa gjërat e nevojshme për mbijetesë.

Guteres ka thënë se për seancën dhe votimin e sotëm e ka shfrytëzuar aktivizimin e nenit 99 të OKB-së për shkak se ekziston rreziku i prishjes së plotë të rendit publik dhe kolapsit të sistemit të mbështetjes humanitare në Gazë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota