Vazhdojnë sulmet e Izraelit në Gazë
Bardhyl Bajrami /RTK
Izraeli ka vazhduar me bombardime në Gazë, me përqendrimin kryesor në qytetin Khan Younis që ndodhet në jug të Gazës. Raportohet se luftime mes palëve ndërluftuese ka pasur edhe në Rafah në afërsi të kufirit me Egjiptin.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka thënë se forcat e vendit në 24 orët e fundit kanë goditur disa lansues raketash prej të cilave janë sulmuar qytetet izraelite.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara përmes një zëdhënësi të departamentit të shtetit kanë thënë se po i bëjnë presion qeverisë së Izraelit që të ketë kujdes për jetët e civilëve. Nathaniel Tek ka thënë se duhen udhëzime të qarta për të lejuar njerëzit që të largohen nga zonat e luftimeve, edhe pse ka thënë se edhe Hamasi është përgjegjëse për mbrojtjen e civilëve. "Besojmë se është thelbësore që Izraeli t’i kushton vëmendje të veçantë mbrojtjes së jetës së njerëzve dhe t’i jep mundësi organizatave të ndihmave t'u qasen civilëve", ka thënë Tek.
Ndërsa, në pjesën e vjetër të qytetit Jenin, në Bregun e okupuar Perëndimor, raportohet për të paktën katër persona të vrarë nga një sulm me dron ndërsa një ka mbetur i lënduar rëndë.
E sot pritet që Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të bashkuara të votojë Rezolutën për armëpushim të menjëhershëm në Gazë, disa ditë pasi SHBA-të vënë veto ndaj një Rezolute të tillë në Këshillin e Sigurimit.
Draft Rezoluta është iniciuar nga grupi i 20 vendeve arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik. Në Asamblenë e Përgjithshme, asnjë vend nuk ka të drejtë vetoje, por rezolutat e miratuara në këtë asamble nuk janë ligjërisht të obligueshme edhe pse pasqyrojnë opinionin global.























