Rritja e nivelit të ujit, arkitektët projektojnë ndërtesa lundruese/Video
Dardan Ramabaja/RTK
Ndryshimet klimatike që po ndikojnë në rritjen e nivelit të ujit, po shtyjnë arkitektët t`i përshtaten kushteve të reja me zgjidhje kreative të ndërtimit të shtëpive e madje edhe fermave.
Në zonën e portit të Roterdamit në Holandë, një fermë lundruese drejtohet nga Minke, e cila ka 36 lopë. Kjo fermë është krijuar për të vazhduar prodhimin e ushqimeve të freskëta për qytetin pavarësisht rritjes së nivelit të detit. Aty, Lopët janë të shëndetshme, kureshtare dhe prodhojnë qumësht me cilësi të lartë, të paprekura nga mjedisi i tyre lundrues thotë Minke.
"Ferma lundruese është një fermë në mes të qytetit dhe prodhon ushqim të freskët dhe të shëndetshëm", deklaroi Minke van Wingerden.
Më tej në veri, Jørgen dhe gruaja e tij jetojnë në një shtëpi lundruese që përshtatet me ndryshimin e niveleve të ujit, duke u ngritur deri në 70 centimetra çdo ditë kur vije batica, por edhe më lart gjatë stuhive.
"Kur ka stuhi në Jug-Perëndim, Deti i Veriut shpërthen dhe nivelet e ujit ngrihen mjaft ndjeshëm, dhe ne ndjejmë se niveli i detit rritet këtu", tha Jurgen König, pronar i shtëpisë.
Koen Olthuis, i cili punon në një firmë arkitekturore, është përfshirë në projektimin e strukturave lundruese për dy dekada. Projektet e tij përfshijnë shtëpi lundruese, ishuj dhe qytete, me fokus në integrimin e elasticitetit klimatik me kushtet ekonomike.
"Ka pasur një ndryshim nga vlerësimi i kushteve klimatike në vlerësimin e kushteve të klimës në kombinim me ekonominë", tha Koen Olthuis, arkitekt në Waterstudio.
Një nga projektet e Koen Olthuis është një park ujor i ardhshëm në Drammen, Norvegji, i cili adreson sfida të tilla si akulli, luhatjet e nivelit të ujit dhe ruajtja e hapësirave të gjelbra mbi ujë.























