Luftime të ashpra në Gaza
Dardan Ramabaja / RTK
Forcat izraelite dhe Hamasi luftuan ashpër në të gjithë Gazën të premten, sipas dëshmitarëve, teksa thuhet se ofensiva tokësore e Izraelit po përballet me rezistencë më të ashpër.
Ndërkohë SHBA thotë se priste që aleati i saj të ndryshojë strategjinë lufte që ka shkaktuar një numër të madh të vdekjesh.
Banorët në enklavën e vogël raportuan për luftime në disa lokacione në Gazën veriore, atë qendrore dhe në qytetin kryesor jugor Khan Younis.
Spitalet në Khan Younis dhe Rafah raportuan një fluks të ri të të vdekurve dhe të plagosurve herët të premten duke përfshirë dy fëmijë. Katër persona u vranë në një sulm ajror izraelit në një shtëpi në Rafah dhe tanket izraelite po bombardonin objektiva në lindje të qytetit afër kufirit egjiptian, kanë thënë mjekët dhe dëshmitarët.
Ushtria izraelite në një njoftim të premten tha se forcat e saj kishin shkatërruar një qendër komandimi dhe kontrolli të Hamasit në qarkun Sheijaia të qytetit të Gazës, dhe një sulm tjetër duke shënjestruar infrastrukturën militante në Khan Younis dhe bombarduan vendet në zonën Rafah që e ndihmuan Hamasin të kontrabandonte armë në Gaza.
Bombardimet e pandërprera izraelite e kanë shkatërruar pjesën më të madhe të brezit të ngushtë bregdetar gjatë dy muajve të fundit, me afro 19,000 njerëz të konfirmuar të vdekur, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë dhe mijëra të tjerë dyshohet se janë varrosur nën rrënoja.
Izraeli nisi sulmin e tij si hakmarrje për sulm të befasishëm ndërkufitar nga Hamasi, grupi i mbështetur nga Irani që sundon Gazën, ku luftëtarët e saj sulmuan komunitetet izraelite ku vranë mbi 1200 njerëz dhe morën 240 pengje më 7 tetor.























