Ndihmat e OKB-së, nga sot, për herë të parë do të lejohen të hyjnë në Gaza
Hanife Osmani /RTK
Ndihmat e OKB-së, nga sot, lejohen të hyjnë në Gaza, për herë të parë. Kërkohet armëpushim nga aleatët e Izraelit, ky i fundit zotohet se nuk do të pushojë deri në eliminimin e Hamasit.
Kamionët me ndihma të OKB-së, nga sot, për herë të parë do të lejohen të hyjnë në Gaza drejtpërdrejt nga Izraeli, bëjnë të ditur organet përgjegjëse izraelite, në koordinimin me Autoritetin Palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë thotë se njerëzit, të cilët tashmë janë në një uri ekstreme, po e bëjnë, pothuajse, të pamundur shpërndarjen e ndihmave.
Ministrja e Jashtme e Francës, Ktherine Colonna ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm, nën arsyetimin se civilë të shumtë po vriten. Edhe Britania e Madhe dhe Gjermania i janë bashkuar thirrjeve për armëpushim. Colonna shtoi se asnjë nga aleatët e Izraelit, kur u zotuan për mbështetjen e tyre të plotë dhe të drejtën e tij për të mbrojtur veten, nuk e parashikuan një numër të vdekjeve të afro 20,000 njerëzve në Gaza. Mirëpo, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli do të luftojë deri në fund, në mënyrë që të arrijë objektivat e tij për eliminimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve.
Sean Casey i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë vizitës së tij në spitalin Al-Shifa, përshkroi një pamje të dëshpëruar të një spitali që, pothuajse, mezi funksionon. Casey tha se repartet e spitalit dukeshin si një “fushëbetejë" me pacientë kudo dhe gjak në të gjithë katet. Dy ofruesit kryesorë të telekomunikacionit në Rripin e Gazës kanë njoftuar se janë gati të rikthehen dhe të akordohen, duke restauruar, kështu, shërbimet e telefonit dhe internetit pjesërisht në Gaza.
Nga sulmet e Hamasit në perimetrin e fort të Izraelit, më 7 tetor, mbetën të vrarë 1200 izraelitë dhe u morën peng 240-sosh, ndërsa, nga pala palestineze, shifra e të vrarëve ka arritur në më shumë se 18.700 presona, me rreth 50.000 të tjerë të plagosur, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e cila drejtohet nga Hamasi.























