Opozita “Serbia kundër dhunës” nuk i njeh zgjedhjet për Beogradin
BKT
Rajoni dhe Bota

Opozita “Serbia kundër dhunës” nuk i njeh zgjedhjet për Beogradin

Anamari Repiq/RTK-Beograd

Edhe pse gjithçka është e qartë me fitoren e Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandër Vuçiqit në zgjedhjet për Parlament, rezultatet e zgjedhjeve për qytetin e Beogradit e komplikojnë situatën paszgjedhore. Duke akuzuar Partinë Përparimtare Serbe për parregullsi të shumta, koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” kërkon anulimin e zgjedhjeve.

“Nuk mund ta pranojmë atë që ndodhi në të gjithë Serbinë si rezultat i zgjedhjeve demokratike dhe të ndershme”. Me këto fjalë bartësi i listës opozitare “Serbia kundër dhunës”, Mirosllav Alleksiq ka kontestuar rezultatet e zgjedhjeve për qytetin e Beogradit.

“Gjatë gjithë ditës janë sjellë për të votuar njerëz që nuk janë nga Beogradi dhe sipas informacioneve kanë qenë rreth 40 mijë votues të tillë”, tha ai.

Bazuar në 81 për qind të votave të numëruara në Beograd, Lista e Vuçiqit ka 21,000 vota më shumë se lista “Serbia kundër dhunës”, e cila shpjegoi se më shumë se 40,000 qytetarë, pa vendbanim të ligjshëm në Beograd (kryesisht nga Republika Serbe), janë organizuar për të mbështetur Listën Aleksander Vuçiq, e cila “ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të Beogradit”. Prandaj “Serbia kundër dhunës” kërkon “anulimin e zgjedhjeve në Beograd dhe përsëritjen e votimit për Kuvendin e qytetit”.

Sipas projeksioneve të organizatave monitoruese, në zgjedhjet e Beogradit lista SNS ka fituar 38,7 për qind të votave (48 mandate) dhe lista “Serbia kundër dhunës” ka fituar 34,7 për qind (43 mandate).

“Ne nuk i njohim rezultatet e zgjedhjeve sepse janë vjedhur”, kanë thënë drejtuesit e “Serbia kundër dhunës”. “Ne kërkojmë që të pastrohet lista zgjedhore. Ftojmë qytetarët e Beogradit që në orën 18:00 të protestojnë kundër vjedhjes zgjedhore”, thuhet në njoftim.

Në nivelin qendror Vuçiq ruajti pushtetin absolut

Lidhur me zgjedhjet parlamentare, kryetari i Komisionit Zgjedhor, Vlladimir Dimitrijeviq, tha se në bazë të 93 për qind të votave, pragun zgjedhor kanë kaluar pesë parti, së bashku me tri parti të tjera të pakicave, por se rezultatet përfundimtare do të dalin në vitin 2024.

Sipas Komisionit Zgjedhor, lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk duhet të ndalet” ka fituar 47,4 %, lista zgjedhore “Serbia kundër dhunës” 23,14 %, lista zgjedhore “Ivica Daçiq - Kryeministër i Serbisë” 6,63 % ndërsa koalicioni NADA fitoi 4,98 % dhe Lista “Ne - zë nga populli” e Branimir Nestoroviqit 4,66 %. Një mandat ka fituar Shaip Kamberi nga lista “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”.

Vuçiq do të ketë një shumicë të madhe dhe sipas organizatës CESID, ai duhet të marrë së paku 128 mandate nga 250 vende në Parlamentin e Serbisë. Blloku opozitar “Serbia kundër dhunës” do të ketë 65 mandate.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Serbia do të mbetet në rrugën evropiane.

“Na pret një periudhë e vështirë, do të ketë shumë gjëra të vështira në rrugën tonë evropiane, nuk ka lëshime të lehta me Prishtinën”, tha Vuçiq.

Një nga surprizat më të mëdha të zgjedhjeve është rënia e madhe e mbështetjes për Partinë Socialiste të Serbisë, e cila fitoi dyfish më pake vota në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Koalicioni NADA ka fituar 13 mandate, që liderët e saj e vlerësuan si sukses.

Një tjetër surprizë e madhe e zgjedhjeve parlamentare është lista e udhëhequr nga Dr. Branimir Nestoroviq, mjek pulmonolog, i cili në fillim të pandemisë ishte anëtar i Shtabit Shtetëror të Krizave dhe më pas u largua dhe fitoi popullaritet si një antivaksinues.

Rezultatet janë të ngjashme edhe për Kuvendin e Vojvodinës. Lista e Vuçiqit prej 120 deputetësh do të ketë nga 67 deri në 69 deputetë, ndërsa lista “Serbia kundër dhunës” është e dyta me 28 deri në 29 deputetë.

OJQ: Parregullsi të shumta

Misioni vëzhgues CRTA dorëzoi shtatë kallëzime penale në polici për blerje votash. Sipas kësaj organizate, janë regjistruar raste të fletëvotimeve të mbushura me herët, prania e paligjshme të palëve të treta në qendrat e votimit, veçanërisht në Beograd. Është vërejtur se në Beograd ka pasur një sjellje të dukshme të votuesve nga vende të tjera në Serbi dhe jashtë saj.

“Dita e zgjedhjeve, veçanërisht në Beograd, ishte e vështirë dhe e keqe”, tha shefi i misionit vëzhgues të CRTA Rasha Nedelkov.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota