Të paktën 90 të vrarë në sulmet izraelite në veri të Gazës
Dardan Ramabaja/ RTK
Forcat izraelite filluan sulme të reja gjatë natës në të gjithë Rripin e Gazës, kanë njoftuar banorët të hënën, ndërsa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duket i gatshëm të votojë një rezolutë ku Izraelit dhe Hamasit i kërkohet të lejojnë qasjen e ndihmave humanitare në enklavën palestineze.
Zyrtarët shëndetësorë të Hamasit thonë se të paktën 90 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Jabalia në veri të Gazës.
Nuk ka pasur asnjë koment të menjëhershëm nga Izraeli, i cili këmbëngul se po synon atë që e quan infrastrukturë terroriste.
Jabalia, pjesë e të cilit është edhe një kamp refugjatësh, gjendet në veri të Gazës - një zonë ku, që nga ditët e para të luftës, Izraeli ka paralajmëruar njerëzit të largohen.
Ndihma e OKB-së ka hyrë sot në Gaza drejtpërdrejt nga Izraeli për herë të parë që nga shpërthimi i luftimeve, por punonjësit humanitarë thonë se po bëhet gjithnjë e më e vështirë shpërndarja e furnizimeve në territor. Gjatë fundjavës, turma të dëshpëruara u filmuan duke ndjekur kamionët me ndihma pranë Rafës duke marrë ushqimin dhe ujin.
Gjatë fundjavës, tre nga aleatët e Izraelit kanë bërë thirrje për përfundimin e luftimeve në Gaza. Ndërkohë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin pritet të takohet sot me zyrtarë izraelitë, ndërsa Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania i janë bashkuar thirrjeve globale për një armëpushim.
Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, SHBA thuhet se po kërkon të zbusë fjalët e një projekt-rezolute të re e cila mund të votohet më vonë edhe që bën thirrje për një ndërprerje të armiqësive.
Hamasi depërtoi perimetrin e mbrojtur fort të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë peng 240 - disa prej të cilëve u liruan gjatë një armëpushimi të shkurtër.
Ministria e shëndetësisë në Gaza, e cila drejtohet nga Hamasi, thotë se më shumë se 18,700 njerëz janë vrarë dhe 50,000 janë plagosur në enklavë që nga fillimi i luftës në Gaza.























