Vazhdojnë operacionet izraelite në Gaza
BKT
Rajoni dhe Bota

Vazhdojnë operacionet izraelite në Gaza

Luan Qorraj / RTK

Përderisa operacionet izraelite në Rripin e Gazës vazhdojnë, Hamasi edhe një herë lansoi raketa drejt Tel-Avivit, përderisa vendet perëndimore thonë se planifikojnë të ndërmarrin masa për t`i ndaluar sulmet e Houthive ndaj anijeve në Detin e Kuq.

Forcat Izraelite kanë vazhduar me bombardime dhe operacione tokësore në pjesën më të madhe të Rripit të Gazës. Sipas njoftimeve të zyrtarëve në Gaza, gjatë sulmeve të fundit janë vrarë së paku 20 civilë por, këta numra nuk mund të verifikohen.

Njëkohësisht, në Tel Aviv, përsëri u dëgjuan sirenat paralajmëruese pasi që luftëtarët e Hamasit arritën të lansojnë disa raketa drejt qytetit më të madh Izraelit. Edhe pse mbrojtja ajrore rrëzoi raketat, ky sulm tregon se Hamasi ende ka kapacitet për të goditur brenda Izraelit.

Ndërkohë vendet perëndimore kanë thënë se planifikojnë të ndërmarrin masa për të mbrojtur anijet të cilat po sulmohen nga Houthit në Detin e Kuq.

Gjatë ditëve të kaluara, disa anije të cilat ishin duke shkuar drejtë Izraelit u sulmuan nga Houthit, të cilët thonë se po e përkrahin Hamasin dhe Italia tanimë ka thënë se do ta dërgojë një luftanije për ta mbrojtur trafikun ndërsa edhe vendet tjera evropiane thanë se po shqyrtojnë masa të ngjashme.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota