Hamasi: Pa e ndalur Izraeli luftën në Gazë, nuk do të lirohen pengjet
BKT
Foto: Reuters
Rajoni dhe Bota

Hamasi: Pa e ndalur Izraeli luftën në Gazë, nuk do të lirohen pengjet

Bardhyl Bajrami /RTK

Hamasi ka thënë se nuk do të liron më asnjë nga pengjet izraelite pa i dhënë fund luftës Izraeli.

Në një deklaratë të lëshuar nga Kairo ku po vazhdojnë bisedimet për një armëpushim tjetër thuhet se grupet palestineze janë pajtuar dhe kanë hedhur poshtë mundësinë e lirimit të pengjeve izraelite deri atëherë kur Izraeli pajtohet t’i jap fund luftës në Gazë.

Mirëpo, Izraeli vazhdimisht e ka hedhur poshtë armëpushimin e përhershëm duke thënë se përfundimi i luftës para fitores ndaj Hamasit do të thotë dështim.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se në pjesën veriore të Rripit të Gazës nuk ekziston asnjë spital funksional për shkak të mungesës së karburanteve, personelit dhe furnizimeve me ilaqe e mjete tjera.

Këshilli i Sigurimit i OKB-s do të mbajë një mbledhje ku pritet të votohet Rezoluta që bën thirrje për armëpushim në Gazë. Mbledhja dhe votimi i Rezolutës është shtyrë tash e tre herë, për herë të fundit është shtyrë të mërkurën derisa diplomatët po kërkojnë harmonizimin e tekstit ashtu që SHBA të mos vë veto si në përpjekjen e mëparshme të 8 dhjetorit.

Të mërkurën, qeveria e Gazës, që udhëhiqet nga Hamasi ka thënë se që nga fillimi i fushatës së Izraelit kundër Gazës, janë vrarë 20 mijë njerëz. Izraeli luftën kundër Hamasit e nisi pas sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit kur u vranë rreth 1200 persona ndërsa u morën peng më shumë se 240 pengje.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota