Vazhdojnë sulmet izraelite në Gazë, OKB bën thirrje për më shumë ndihma
Flutura Bekqeli / RTK
Bombardimet izraelite në Rripin e Gazës kanë vazhduar deri në orët e vona të natës të premten me raporte për sulme të vazhdueshme ajrore dhe tokësore. Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së thotë se rreth një e katërta e të gjitha familjeve në Gazë, afërsisht 500 mijë njerëz, po përballen me kushte katastrofale urie.
Një sulm në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gaza qendrore vrau të paktën 18 persona, sipas mediave palestineze.
Njerëzit në një kamp tjetër, Bureij, u urdhëruan nga ushtria izraelite të lëviznin në jug ndërsa vazhdonte ofensivën e saj tokësore.
Në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë që kërkon më shumë ndihmë humanitare për Gazën. Megjithatë, mocioni nuk bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në luftë.
Votimi pasoi pas disa ditësh negociatash për të shmangur një veto nga aleati kryesor i Izraelit, SHBA.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia abstenuan, ndërsa 13 anëtarët e tjerë të këshillit – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, e cila kishte abstenuar më parë në një rezolutë të ngjashme – mbështetën tekstin që tani bën thirrje për krijimin e kushteve "për një ndërprerje të qëndrueshme të armiqësive".
Rezoluta kërkoi që palët "të lejojnë, lehtësojnë dhe mundësojnë shpërndarjen e menjëhershme, të sigurt dhe të papenguar të ndihmës humanitare në shkallë direkte për popullatën palestineze në të gjithë Rripin e Gazës". Rezoluta bën thirrje për caktimin e një koordinatori për të mbikëqyrur një mekanizëm të OKB-së që do të ngrihet me synimin për të përshpejtuar shpërndarjen e ndihmës.
Duke reaguar ndaj rezolutës, Hamasi kritikoi atë që tha se ishte një "hap i pamjaftueshëm" për të përmbushur nevojat humanitare të njerëzve në Gaza dhe akuzoi SHBA-në se punon shumë për "të zbrazur këtë rezolutë nga thelbi i saj".
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së thotë se rreth një e katërta e të gjitha familjeve në Gaza - afërsisht 500 mijë njerëz - po përballen me "kushte katastrofale urie", me ushqimin dhe ujin në mbarim.
E Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha se "mënyra se si Izraeli po e kryen këtë ofensivë" po krijonte "pengesa masive" për shpërndarjen e ndihmave në Gaza.
Ushtria izraelite ka shprehur keqardhje për vrasjen e civilëve, por ka fajësuar Hamasin për veprimin në zona me popullsi të dendur ose përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore, gjë që grupi e mohon.























