Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë dhjetëra njerëz
Dardan Ramabaja/ RTK
Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë dhjetëra njerëz në një nga netët më vdekjeprurëse të luftës, kanë njoftuar zyrtarët e Gazës.
Sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 78 njerëz në Gaza, thanë zyrtarët palestinezë shëndetësorë, në një nga netët më vdekjeprurëse të enklavës së rrethuar të betejës 11-javore të Izraelit me Hamasin.
Sulmet që filluan disa orë para mesnatës vazhduan deri në ditën e Krishtlindjes të hënën. Banorët dhe mediat palestineze thanë se Izraeli shtoi bombardimet ajrore dhe tokësore kundër al-Bureij në Gazën qendrore.
Papa Françesku u ankua se mesazhi i paqes i Jezusit po mbytej nga "logjika e kotë e luftës" në vendin ku ai lindi.
Të paktën 70 njerëz u vranë në një sulm ajror izraelit që synonte Maghazin në Gaza qendrore, tha zëdhënësi i ministrisë së shëndetësisë Ashraf Al-Qidra, duke shtuar se shumë ishin gra dhe fëmijë.
Ushtria izraelite tha se po shqyrtonte raportin e një incidenti në Maghazi dhe ishte e përkushtuar të minimizonte dëmin ndaj civilëve. Kurse Hamasi mohon akuzat izraelite se operon në zona me popullsi të dendur ose përdor civilët si mburoja njerëzore.
Sipas gjysmëhënës së Kuqe Palestineze aeroplanët luftarakë izraelitë po bombardojnë rrugët kryesore, duke penguar kalimin e ambulancave dhe automjeteve të urgjencës.
Ndërkohë Mjekët thanë se një sulm ajror izraelit në Khan Younis në Gazën jugore vrau tetë palestinezë.
Hamasi dhe grupi më i vogël militant Xhihadi Islamik, dy organizata të betuara për shkatërrimin e Izraelit, besohet se mbajnë më shumë se 100 nga 240 pengje që ata kapën gjatë sulmit të tyre të 7 tetorit nëpër qytetet izraelite, kur vranë 1200 njerëz.























