Lufta në Gaza po vazhdon, raportohet për 241 të vrarë brenda 24 orëve
Flutura Bekqeli/RTK
Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, ka thënë se të paktën 241 persona janë vrarë në 24 orët e fundit, ndërsa operacioni ushtarak i Izraelit po vazhdon. Në anën tjetër, Izraeli thotë se ka goditur më shumë se 100 vende të martën, mes raporteve për operacione të afërta tokësore në Gazën Qendrore.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas e ka quajtur luftën një "krim të rëndë" kundër popullit të tij, derisa shefi i ushtrisë izraelite, Herzi Halevi tha se konflikti me Hamasin do të vazhdojë edhe për "shumë muaj të tjerë".
Presidenti Abbas e ka përshkruar luftën në Rripin e Gazës si "përtej një katastrofe" dhe "përtej një lufte asgjësimi". Ai e quajti atë të paprecedentë në historinë e popullit palestinez. Duke folur në Ramallah për një kanal televiziv egjiptian në intervistën e tij të parë që nga fillimi i luftës, ai tha se territori ishte bërë i panjohshëm dhe paralajmëroi se Bregu Perëndimor i pushtuar mund të shpërthejë në çdo kohë.
Udhëheqësi palestinez akuzoi Uashingtonin për zgjatjen e luftës duke vënë veton ndaj projekt-rezolutave të OKB-së që bëjnë thirrje për një armëpushim.
Në anën tjetër, Izraeli thotë se ka goditur më shumë se 100 vende të martën, mes raporteve për operacione të afërta tokësore në Gazën qendrore. Shpërthime të forta janë raportuar nga Rripi i Gazës në të gjithë perimetrin me Izraelin në orët e para të së mërkurës. Në Bregun Perëndimor të pushtuar, burimet mjekësore palestineze thonë se gjashtë palestinezë u vranë në një sulm izraelit me dron gjatë natës në kampin e refugjatëve Nur Shams.
Mediet izraelite dhe arabe thonë se Egjipti ka propozuar një plan për një armëpushim. Sipas raporteve, plani do të shihte lirimin me faza të të gjithë pengjeve izraelitë dhe një numri të papërcaktuar të të burgosurve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite, duke përfunduar me një pezullim të ofensivës së Izraelit.
Një marrëveshje e mëparshme e përkohshme armëpushimi e negociuar nga Katari bëri që dhjetëra pengje të liroheshin nga Gaza në këmbim të të burgosurve palestinezë. Deri më tani, Izraeli dhe Hamasi i kanë rezistuar thirrjeve për një armëpushim të qëndrueshëm.























