Hezbollah hedh raketa drejt një baze izraelite
BKT
Rajoni dhe Bota

Hezbollah hedh raketa drejt një baze izraelite

VOA

Grupi Hezbollah tha se lëshoi më shumë se 60 raketa ndaj një baze ushtarake izraelite të shtunën. Sulmi ishte "fillimi i një kundërpërgjigjeje" ndaj vrasjes së një prej udhëheqësve të saj, Saleh al-Arouri, në fillim të javës, tha organizata me bazë në Liban përmes një deklarate.

Hezbollahu beson se Izraeli është përgjegjës për sulmin që vrau Arourin, por Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë. Të premten, udhëheqësi i milicisë libaneze tha se grupi i tij duhet të hakmerret për sulmin.

"Ne nuk mund të heshtim para një shkeljeje kaq serioze", tha Hassan Nasrallah, sipas agjencisë Associated Press. Ai tha se kostoja e mosveprimit është "shumë më e madhe" sesa rreziqet e kundërpërgjigjes.

Hamasi dhe zyrtarët e sigurisë në rajon ia atribuuan sulmin që vrau Saleh al-Arourin një droni izraelit, megjithëse Izraeli nuk e ka pranuar drejtpërdrejt përgjegjësinë.

Hezbollahu – që ashtu si edhe Hamasi, është një grup militant i mbështetur nga Irani i cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë – ka hedhur raketa përgjatë kufirit verior të Izraelit që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në tetor.

Ushtria izraelite tha se goditi celulën e Hezbollahut që hodhi raketat.

Sulmet ajrore izraelite në Libanin jugor goditën në periferi të fshatit Kouthariyeh al-Siyad, rreth 40 kilometra brenda kufirit, tha Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit, duke shtuar se kishte pasur viktima.

Sulme të tilla në thellësi të Libanit kanë qenë të rralla që nga fillimi i luftimeve në vijën kufitare tre muaj më parë. Ushtria izraelite nuk ka reaguar.

Ndërkohë krahu i armatosur i Grupit Islamik në Liban, degë e Vëllazërisë Myslimane dhe një aleat i ngushtë i Hamasit, tha se goditi me dy raunde raketash drejt qytetit izraelit Kiryat Shmona të premten në mbrëmje. Dy nga anëtarët e grupit u vranë në sulmin që që kishte në shënjestët Arourin.

Izraeli sulmoi të shtunën herët qytetet jugore të Gazës, Rafah dhe Khan Yunis. Qindra mijëra palestinezë u evakuuan në Gazën jugore në përpjekje për të gjetur strehë nga luftimet, siç udhëzuan autoritetet izraelite, por luftimet janë shtrirë edhe atje.

Martin Griffiths, shefi i OKB-së për çështjet humanitare paralajmëroi të premten se i gjithë territori palestinez “është bërë i pabanueshëm”, pas tre muajsh luftimesh që kanë rezultuar në shkatërrimin e pjesës më të madhe të Gazës dhe kanë krijuar një katastrofë humanitare.

Lufta filloi pasi Hamasi i mbështetur nga Irani ndërmori një sulm terrorist në Izrael më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 vetë dhe mori peng rreth 240 të tjerë.
Disa nga pengjet janë liruar, por rreth 130 mbahen ende në Gazë. Përgjigjia e Izraelit ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 22,600 palestinezëve, një pjesë e madhe e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, të drejtuar nga Hamasi.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota