Broja titullar, Chelsea shënon fitoren e tretë radhazi në Ligën Premiere
B. H. | RTKlive
Skuadra e Chelseat pati një mision të vështirë në xhiron e 21-të të Ligës Premiere ndaj rivalit të ndërlikuar të qytetit, Fulham , por arriti të kapërcejë sfidën dhe të realizojë triumf me rezultat minimal në “Stamford Bridge”, 1:0.
“Blutë” luajtën pak më mirë në pjesën e parë dhe krijuan dy-tri raste për të shënuar, por rezultati u hap vetëm në sekondat e fundit, nga një penallti e realizuar me saktësi nga talenti i ri, Cole Palmer. Në anën tjetër Fulhami nuk la përshtypje të një skuadre naive në pjesën e parë, por ishin vendasit që shkuan në pushim me epërsi.
Vizitorët nga “Craven Cottage” u treguan më seriozë në 45 minutat e dytë dhe në disa raste shfaqën “dhëmbët”, por nuk arritën të gjejnë golin e barazimit.
Chelsea në disa raste e humbi përqendrimin dhe shfaqi shenja dobësie në mbrojtje, por herë pas here pati edhe tentime drejt portës mysafire, e ku rastin më të mirë e pati Gallagher, në minutën e 84-t, kur goditi shtyllën.
Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Armando Broja luajti titullar në radhët e Chelseat, teksa në minutën e 66-të u zëvendësua nga Noni Madueke.
Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për Chelsean, i cili tashmë del në vendin e tetë me 31 pikë, ndërsa Fulham mbetet në kuotën e 24 pikëve, në pozitën e trembëdhjetë.























