SHBA dhe Britania kryen një sërë sulmesh të reja të kundër forcave Houthi
BKT
Rajoni dhe Bota

SHBA dhe Britania kryen një sërë sulmesh të reja të kundër forcave Houthi

Dardan Ramabaja/ RTK

SHBA dhe Britania e Madhe, në bashkëpunim me 4 vende tjera, kanë kryer sërish sulme ajrore në Jemen kundër forcave Houthi të cilat në vazhdimësi e kanë penguar transportin ndërkombëtar duke sulmuar anijet.

Forcat amerikane dhe ato britanike kryen një raund të ri sulmesh të hënën në Jemen, duke shënjestruar një depo nëntokësore të forcave Houthi, kapacitetet raketore, dhe aftësitë e vëzhgimit të përdorura nga grupi i lidhur me Iranin kundër anijeve në Detin e Kuq, njoftoi Pentagoni.

Në përgjigjen e fundit, forcat amerikane dhe britanike kryen sulme në tetë lokacione të ndryshme në Jemen, me mbështetje nga Australia, Bahreini, Kanadaja dhe Holanda, sipas një deklarate të përbashkët të nënshkruar nga gjashtë vendet.

Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se rreth 30 raketa janë përdorur disa prej tyre nga aeroplanët luftarakë të lëshuar nga një aeroplanmbajtëse amerikane.

Deri më tani, tetë raundet e sulmeve gjatë muajit të kaluar, kanë dështuar në ndalimin e sulmeve të Houthi-ve kundër anijeve.

Zëdhënësi ushtarak i Houthive, Yahya Sarea, ka deklaruar të martën se aleanca SHBA-Britani ka kryer 18 sulme ajrore, 12 në kryeqytetin Sanaa, tre në qytetin port të Hodeidah, dy në Taiz dhe një në provincën Al-Bayda. Por, sipas tij këto sulme nuk do të mbeten pa përgjigje apo pa u ndëshkuar.

Zyrtarët amerikanë thonë se sulmet kanë degraduar aftësinë e Houthive për të kryer sulme komplekse. Por ata kanë refuzuar të ofrojnë ndonjë numër specifik të raketave, radarëve, dromëve ose aftësive të tjera ushtarake të shkatërruara deri më tani.

Houthit, të cilët kontrollojnë pjesët më të populluara të Jemenit, kanë thënë se sulmet e tyre janë në solidaritet me palestinezët ndërsa Izraeli po godet Gazën.

Sulmet Houthi kanë ndërprerë transportin global dhe kanë ngjallur frikën e inflacionit global. Ata gjithashtu kanë thelluar shqetësimin se pasojat nga lufta Izrael-Hamas mund të destabilizojnë Lindjen e Mesme.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota