Intelegjenca ukrainase: Në aeroplanin e rrëzuar mund të kishte të burgosur
Flutura Bekqeli / RTK
Një përfaqësues i inteligjencës ukrainase të mbrojtjes i tha BBC-së se ai "nuk e përjashton" mundësinë që në bordin e aeroplanit ushtarak rus që u rrëzua në Belgorod të kishte të burgosur ukrainas
Andriy Yusov theksoi se Rusia nuk kishte ofruar asnjë provë për të mbështetur pretendimet e saj atje.
"Nuk ka asnjë informacion të qartë për robërit e luftës. Ka vetëm deklarata nga Rusia, të natyrës politike dhe propagandistike", tha ai.
"Kush ose çfarë ishte në bord duhet të sqarohet."
Yusov, i cili është zyrtari i parë ukrainas i intervistuar nga BBC që nga incidenti të mërkurën, akuzoi Moskën për "fshehje" të informacionit, me imazhe të kufizuara nga vendi i përplasjes - duke përfshirë të vdekurit.
Rusia thotë se 65 të burgosur ukrainas të luftës vdiqën kur aeroplani IL-76 u rrëzua nga një raketë ukrainase.
I pyetur nëse ishte e mundur që Ukraina të kishte rrëzuar aeroplanin ushtarak, Yusov tha: "Ne nuk e konfirmojmë një informacion të tillë".
Ai tha se të dyja palët po përdornin dronë atë ditë mbi Belgorod: "Kishte dronë zbulues ukrainas dhe Rusia po lëshonte drone sulmuese".
Oficeri i inteligjencës pohoi se aeroplani specifik Il-76 i cili u rrëzua ishte përdorur më parë për të shpërndarë municione dhe "raketa për sistemet S-300 dhe S-400" në rajonin e Belgorodit.
Yusov shtoi se Ukraina "nuk mund të përjashtojë" se aeroplani po transportonte njerëz dhe municione.























