Edhe Britania e Madhe ndalon fondet për UNRWA-në
Luan Qorraj / RTK
Britania e Madhe ka bërë të ditur se ka pezulluar fondet e dedikuara për agjencinë palestineze të refugjatëve pranë OKB-së, UNRWA, duke iu bashkuar kështu listës së shteteve të cilat i ndaluan fondet për shkak të akuzave për përfshirjen e anëtarëve të stafit të kësaj agjencie në sulmet e 7 tetorit.
Britania e Madhe i është bashkuar listës së vendeve, të cilat kanë pezulluar pagesat e fondeve për Agjencinë Palestineze të Refugjatëve apo UNRWA, për shkak të akuzave për përfshirjen e anëtarëve të stafit të kësaj agjencie në sulmet e 7 Tetorit.
Njoftimi i Londrës zyrtare erdhi pasi që Shtetet e Bashkuara, Australia, Italia, Kanadaja dhe Finlanda njoftuan se do të pezullojnë të gjitha fondet për agjencinë më të madhe dhe më të rëndësishme që operon në Rripin e Gazës.
Reagimet erdhën pasi që Tel Avivi tha se ka prova që punonjësit e UNRWA-s kanë qenë drejtpërdrejtë të përfshirë në sulmet e tetorit dhe se një prej pengjeve të liruara ka dëshmuar se mbahej në shtëpinë e një personi që punonte për UNRWA.
Në të kaluarën, Izraeli ka thënë se gjatë operacioneve në Rripin e Gazës, në mesin e luftëtarëve të Hamasit, ka zbuluar edhe persona që punojnë për UNRWA. Tel Avivi, gjithashtu, qe një kohë të gjatë akuzon UNRWA-n për lejimin e Hamasit që të operon nga ndërtesat dhe spitalet, të cilat i kontrollon kjo agjenci.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, gjithashtu, komentoi rreth akuzave të Izraelit duke thënë se OKB është "tmerruar për shkak të këtyre akuzave tejet serioze" dhe ka shtuar se OKB, tanimë, ka nisur hetime rreth tyre.
Ndërkohë, përfaqësuesit e UNRWA-së kanë thënë se nuk është e drejtë që ndalesa e fondeve për UNRWA do të nënkupton vuajtje të reja për popullatën e Gazas, qindra mijëra prej të cilëve varen prej kësaj agjencie për ushqim, përderisa ajo, njëkohësisht, është edhe punëdhënësi më i madh në Gaza me 13 mijë individë në listën e pagave.























