Izraeli vazhdon operacionet në Khan Younis
Luan Qorraj / RTK
Forcat izraelite kanë vazhduar me operacione në Rripin e Gazës ku përleshjet më të ashpra vazhdojnë të zhvillohen në Khan Younis. Ndërkohë, pas raporteve se është arritur përparim rreth një marrëveshjeje të mundshme për armëpushim, disa mediume kanë raportuar se përfaqësuesit e CIA-s amerikane do të takohen me zyrtarë nga Katari, Izraeli dhe Egjipti për të finalizuar marrëveshjen.
Forcat izraelite kanë vazhduar me operacionet e tyre në pjesën më të madhe të Rripit të Gazës.
Njoftimet nga ky territor thonë se luftimet janë më të ashpra në Khan Younis, ku besohet të jenë përqendruar udhëheqësit e Hamasit, si dhe një numër i madh i luftëtarëve të kësaj organizate.
Grupet humanitare edhe një herë thanë se spitali i Khan Yunis është i rrethuar dhe apeluan për ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare.
Ndërkohë aeroplanët izraelitë kanë goditur caqe të reja brenda Libanit, pasi që militantët e Hezbollahut lansuan sulme të reja raketore drejtë Izraelit.
Njëkohësisht, pas njoftimet se ekziston mundësia e arritjes së një marrëveshjeje të armëpushimit e cila do të nënkuptonte këmbimin e të burgosurve, disa mediume raportuan se përfaqësuesit e CIA-s amerikane, do të takohen në Paris me përfaqësuesit e Katarit, Izraelit dhe Egjiptit, me të cilët do të tentojnë të finalizojnë marrëveshjen e shumëpritur.























