Sllovakët protestojnë kundër qeverisë për mbylljen e Prokurorisë Speciale
BKT
Foto: Reuters
Rajoni dhe Bota

Sllovakët protestojnë kundër qeverisë për mbylljen e Prokurorisë Speciale

Reuters

Dhjetëra mijëra qytetarë mbushën të enjten sheshet nëpër Sllovaki kundër kryeministrit Robert Fico, i cili ka në plan të shfuqizojë zyrën që po heton krimet financiare të zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe njerëz të afërt me kreun e qeverisë.

Me thirrjet "Mjaft Fico" dhe me parulla "Duart jashtë demokracisë sonë", protestuesit u organizuan në Bratislavë si në grumbullimet e përjavshme të fillimdhjetorit kundër reformave të qeverisë, të cilat përfshijnë mbylljen e Zyrës së Prokurorisë Speciale.

"Situata po ndryshon ngadalë-ngadalë dhe kanë filluar të na e vënë më shumë veshin në parlament. Ju lutem, këmbëngulni dhe vazhdoni kështu," i tha turmës, deputeti i opozitës Jozef Hajko. 

Qeveria e majtë e Ficos thotë se reformat e saj - të cilat gjithashtu pritet të kufizojnë mbrojtjen për informatorët civilë dhe do të ulin dënimet për krimet financiare - janë të domosdoshme për t'i dhënë fund asaj që i quan qëndrime të tepruara të Zyrës së Prokurorisë Speciale kur Fico ishte në opozitë.

Qeveria po kërkon t'i kalojë reformat me procedura të shpejtuara, aq sa mund të hidhen për votim javën e ardhshme, çka ka shqetësuar Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidentja e Sllovakisë, Zuzana Çaputova, ka thënë se reformat vënë në rrezik fondet e BE-së.

Fico fitoi zgjedhjet shtatorin e kaluar, pasi në vitin 2018 dha dorëheqjen prej protestave masive që shoqëruan vrasjen e një gazetari, i cili po hetonte korrupsionin publik.

Qeveria sllovake nuk e ka sqaruar se cilat autoritete do të merren me krimet financiare kur të mbyllet Zyra e Prokurorisë Speciale.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota