Ushtria izraelite: Kemi eliminuar 200 terroristë të Hezbollahut
A.B/RTKlive
Ushtria izraelite bëri të ditur të shtunën se prej shpërthimit të luftës në Gazë, më 7 tetor, kishte goditur më shumë se 50 objektiva në Siri, të lidhura me lëvizjen libaneze Hezbollah që mbështetet nga Irani.
“Ushtria izraelite ka vrarë 200 terroristë të Hezbollahut në Liban”, tha zëdhënësi i IDF-së, kundëradmirali Daniel Hagari gjatë një konference për shtyp të së shtunës në mbrëmje.
"Në vend të një divizioni, ne vendosëm tre divizione përgjatë kufirit, me dhjetëra mijëra ushtarë," tha Hagari.
Ai tha se nga vija kufitare terroristët janë përpjekur të depërtojnë në Izrael. “Ne kemi sulmuar më shumë se 150 skuadra terroriste dhe kemi eliminuar më shumë se 200 terroristë dhe komandantë. Që nga fillimi i luftës, ne kemi sulmuar më shumë se 3,400 objektiva në Liban. Ne po punojmë për të ndaluar furnizimin e Hezbollahut me municione nga Irani. Kudo që të jetë Hezbollahu - ne do të veprojmë, kudo në Lindjen e Mesme”, tha ai., raporton Jerusalem Post.
Menjëherë pas deklaratave të Hagarit, IDF raportoi se avionët luftarakë izraelitë sulmuan një strukturë ushtarake që i përkiste Hezbollahut në Libanin jugor në rajonin Taybeh.
Gjithashtu, gjatë orëve të mëparshme, një numër lëshimesh u identifikuan se kishin kaluar nga territori libanez drejt zonave të malit Dov, Even Menachem dhe Yir'on. Nuk pati viktima dhe forcat izraelite sulmuan burimet e të shtënave.
Më herët atë ditë, avionët luftarakë izraelitë goditën disa objektiva në Libanin jugor, duke shkatërruar me sukses infrastrukturën e Hezbollahut.























