SHBA e Britania e Madhe godasin dhjetëra caqe të Houthi-ve në Jemen
Luan Qorraj/ RTK
Aleatët vazhdojnë të godasin caqet e kryengritësve Jemenit, Houthi-t thonë se do të vazhdojnë me sulme ndaj anijeve në detin e kuq.
Marinat dhe aviacioni i Shteteve të bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe kanë goditur dhjetëra caqe të Houthi-ve në pjesët e ndryshme të Jemenit.
Sipas njoftimeve, janë goditur së paku 36 caqe në 13 pika të ndryshme. Edhe pse nuk ka njoftime për viktima eventuale të këtyre sulmeve, besohet se gjatë tyre janë shkatërruar, mes tjerash, disa raketa dhe lansues të raketave kundër-anije, të cilat Houthi-t i kanë marrë nga Irani.
Këto sulme, të cilat vijnë menjëherë pas sulmeve ndaj grupeve militante, aleate të Iranit, në Irak dhe Siri, dhe janë pjesë e fushatës më të gjerë të 10 vendeve të cilat po tentojnë të ndalojnë sulmet e Houthi-ve ndaj anijeve në detin e kuq.
Edhe pse kryengritësit Jemenit, deri me tani, nuk ndërhynë drejtpërdrejtë në luftën në Rripin e Gazës, ata kanë sulmuar një numër të madh anijesh ndërkombëtare të cilat kalonin nëpër detin e kuq duke thënë se, në këtë mënyrë, po e ndihmojnë luftën e Hamasit në Gaza.
Edhe pse, gjatë disa ditëve të kaluara, nuk kanë ndodhur sulme të reja kundër anijeve tregëtare në detin e kuq, fakt i cili dukeët të tregon se sulmet aleate po kanë efekt, Houthi-t kanë thënë se do të vazhdojnë me sulme përderisa vazhdon lufta e Izraelit me Hamasin.
Njëkohësisht, ekspertët kanë paralajmëruar se Houthi-t janë grup i mirë-armatosur i cili ka kaluar një pjesë të madhe të 10-vjeçarit të kaluar duke u mbrojtur nga sulmet ajrore të koalicionit të vendeve arabe dhe kanë shtuar se gjasat që ata do të ndalohen vetëm me sulme ajrore janë të vogla.























