Hamasi ka dhënë përgjigje propozimit kornizë për një armëpushim të ri
BKT
Rajoni dhe Bota

Hamasi ka dhënë përgjigje propozimit kornizë për një armëpushim të ri

Dardan Ramabaja /RTK

Një marrëveshje e re armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit po negociohet intensivisht nga disa shtete.

Hamasi thotë se ka dhënë përgjigje ndaj një propozimi kornizë për një armëpushim të ri në Gaza.

Një zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë BBC-së se grupi kishte paraqitur një "vizion pozitiv" në përgjigje të kornizës, por kishte kërkuar disa ndryshime në lidhje me rindërtimin e Gazës, kthimin e banorëve të saj në shtëpitë e tyre dhe dispozitat për ata që kishin qenë të zhvendosur.

Zyrtari tha se Hamasi kishte kërkuar gjithashtu ndryshime në lidhje me trajtimin e të plagosurve, duke përfshirë kthimin e tyre në shtëpi dhe transferimin në spitale jashtë vendit.

Detajet e marrëveshjes - të përcaktuara nga Izraeli, SHBA, Katari dhe Egjipti - nuk janë bërë publike.

Më herët u raportua se përfshinte një armëpushim gjashtë-javor, kur më shumë pengje izraelite do të shkëmbeheshin për të burgosur palestinezë, ndërsa Izraeli dhe SHBA kanë thënë se po shqyrtojnë përgjigjen e Hamasit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili aktualisht ndodhet në Lindjen e Mesme, tha se do të diskutonte përgjigjen e Hamasit me zyrtarët në Izrael të mërkurën.

Ndërsa Blinkeni nuk ka dhënë asnjë tregues sesi SHBA e shikon përgjigjen, presidenti Joe Biden e përshkroi atë si " si pak të vështirë" - duke sugjeruar se udhëheqja izraelite nuk do të pajtohet lehtësisht me atë që grupi po kërkon.

Propozimi iu dërgua Hamasit rreth një javë më parë, por një përfaqësues i tha agjencisë së lajmeve Reuters se u ishte dashur deri të martën për t'u përgjigjur sepse pjesë të tij ishin "të paqarta dhe dy kuptimshme".

Kurse Kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed Bin Abdulrahman al Thani e ka përshkruar përgjigjen e Hamasit si "pozitive" në përgjithësi.

Konflikti në Gaza u shkaktua nga sulmi i paprecedentë i Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, në të cilin rreth 1,300 njerëz në vranë dhe rreth 250 të tjerë u morën peng. Në anën tjetër më shumë se 27.500 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë në Rripin e Gazës.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota