SHBA nuk do të mbështesë ofensivë të paplanifikuar të Izraelit në Rafah
BKT
Rajoni dhe Bota

SHBA nuk do të mbështesë ofensivë të paplanifikuar të Izraelit në Rafah

Flututra Bekqeli /RTK

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Izraelin se organizimi i një ofensive ushtarake në qytetin Rafah, pa planifikimin e duhur, do të ishte një katastrofë.

Shtëpia e Bardhë tha se nuk do të mbështeste planet për ndonjë operacion të madh në Rafah pa konsiderimin e duhur për refugjatët atje.

Komentet vijnë disa ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai kishte urdhëruar trupat të "përgatiteshin për të operuar" në Rafah dhe se "fitorja totale" e Izraelit mbi Hamasin ishte vetëm disa muaj larg.

Më shumë se gjysma e banorëve të Gazës tani jetojnë në qytetin në kufi me Egjiptin. Rreth 1.5 milionë palestinezë po mbijetojnë atje në kushte të rënda humanitare. Izraeli bombardoi pjesë të Rafas-it nga ajri të enjten në mëngjes dhe tanket izraelite thuhet, gjithashtu, se hapën zjarr.

Duke folur të enjten në mbrëmje, dhe pa iu referuar Rafas, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se veprimet e Izraelit në Gaza kishin qenë të tepruara.

Më herët, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se ushtria izraelite kishte një "detyrim të veçantë ndërsa kryen operacione atje ose kudo tjetër për t'u siguruar që ata janë duke faktorizuar mbrojtjen e jetës së pafajshme civile".

Duke folur në Tel Aviv, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, tha se çdo "operacion ushtarak që Izraeli ndërmerr duhet të vendosë civilët para së gjithash... dhe kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e Rafas".

Është e rrallë që SHBA, një aleat kyç dhe mbështetës ushtarak i Izraelit, të flasë për ndonjë fazë të ardhshme të ofensivës ushtarake të vendit në Gaza - por ky ishte një paralajmërim i qartë.

Uashingtoni dërgon rreth 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin çdo vit, duke e bërë vendin përfituesin më të madh në botë të këtyre fondeve. Rreth 1.300 njerëz u vranë gjatë sulmeve të Hamasit në Izraelin Jugor, më 7 tetor, derisa më shumë se 27.800 palestinezë janë vrarë dhe të paktën 67.000 janë plagosur nga lufta e nisur nga Izraeli, si përgjigje ndaj sulmeve.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota