Izraeli ka liruar dy pengje në Gaza në një operacion të forcave speciale
BKT
Rajoni dhe Bota

Izraeli ka liruar dy pengje në Gaza në një operacion të forcave speciale

Dardan Ramabaja / RTK

Izraeli ka liruar dy pengje izraelite në Rafah në një operacion të forcave speciale dhe sulmeve ajrore herët të hënën, ndërsa zyrtarët lokalë të shëndetësisë njoftuan se 37 palestinez u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në qytetin jugor të Gazës.

Një operacion i përbashkët i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Shërbimit të sigurisë “Shin Bet” dhe Njësisë Speciale të Policisë liruan në Rafah, Fernando Simon Marman, 60 vjeç dhe Louis Hare, 70 vjeç, ka njoftuar ushtria izraelite.

Dy burrat që ishin rrëmbyer nga Hamasi në Kibucin Nir Yitzhak më 7 tetor, janë dërguar në qendrën spitalore Sheba.

"Ishte një operacion shumë kompleks, por ne kemi punuar për një kohë të gjatë në këtë operacion, dhe po prisnim kushtet e duhura", ka thënë zëdhënësi ushtarak izraelit, nënkoloneli Richard Hecht.

Pengjet po mbaheshin në katin e dytë të një ndërtese që u shpërthye me një eksploziv gjatë bastisjes, ku pati shkëmbime të ashpra zjarri përreth, ka thënë Hecht. Por sulmet ajrore shkaktuan panik të gjerë në Rafah pasi shumë njerëz ishin në gjumë kur filluan sulmet, ndërsa disa kishin frikë se Izraeli kishte filluar ofensivën e tij tokësore në Rafah.

Aeroplanë, tanke dhe anije izraelite morën pjesë në sulme, ku dy xhami dhe disa shtëpi janë goditur, sipas banorëve. Në një deklaratë, Hamasi ka thënë se sulmi në Rafah ishte një vazhdim i një "lufte gjenocidale" dhe përpjekjeve për zhvendosje të detyruar që Izraeli ka bërë kundër popullit palestinez.

Ndërkohë, presidenti amerikan Joe Biden i kishte thënë kryeministrit Benjamin Netanyahu të dielën se Izraeli nuk duhet të nisë një operacion ushtarak në Rafah pa një plan të besueshëm për të garantuar sigurinë e rreth 1 milion njerëzve të strehuar atje, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Kurse zyra e kryeministrit Netanyahu ka thënë se kishte urdhëruar ushtrinë të zhvillojë një plan për të evakuuar Rafan dhe për të shkatërruar katër batalione të Hamasit që thotë se janë vendosur atje.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota