SHBA: Qyteti kyç i Ukrainës, Avdiivka, mund të pushtohet nga Rusia
BKT
Rajoni dhe Bota

SHBA: Qyteti kyç i Ukrainës, Avdiivka, mund të pushtohet nga Rusia

Flutura Bekqeli / RTK

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Rusia mund ta pushtojë qytetin kyç lindor të Ukrainës, pas luftimeve të ashpra në muajt e fundit.

“Avdiivka rrezikon të bjerë nën kontrollin rus”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, duke përmendur mungesën e municioneve në Ukrainë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u zotua të bëjë gjithçka për të "shpëtuar sa më shumë jetë ukrainase".

Trupat ruse kanë arritur përfitime në Avdiivka, duke kërcënuar se do ta rrethojnë atë. Qyteti - i cili është shkatërruar pothuajse plotësisht - shihet si një portë për në Donetsk aty pranë, kryeqyteti rajonal ukrainas i pushtuar nga luftëtarët e mbështetur nga Rusia në 2014 dhe më vonë i aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Moska.

Në konferencën e së enjtes në Uashington, Kirby tha se Avdiivka mund të bjerë kryesisht "sepse forcave ukrainase në terren po u mbarojnë municionet e artilerisë".

“Rusia po dërgon valë pas valë forcash të rekrutuar për të sulmuar pozicionet e Ukrainës. Dhe për shkak se Kongresi nuk e ka miratuar ende projektligjin shtesë, ne nuk kemi qenë në gjendje t'i ofrojmë Ukrainës predhat e artilerisë që i duhen dëshpërimisht për të ndërprerë këto sulme ruse”, tha ai.

Në fillim të kësaj jave, Senati i SHBA miratoi një paketë ndihme të huaj prej 95 miliardë dollarësh - duke përfshirë 60 miliardë dollarë për Ukrainën - pas muajsh grindjeje politike, por ajo përballet me një betejë të vështirë në Dhomën e Përfaqësuesve. Ukraina është në mënyrë kritike e varur nga furnizimet me armë nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë perëndimorë për të qenë në gjendje të vazhdojë të luftojë Rusinë - një forcë shumë më e madhe ushtarake me një bollëk municionesh artilerie.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jen Stoltenberg, paralajmëroi të enjten se dështimi i SHBA-së për të miratuar ndihmën e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën po kishte tashmë një ndikim në fushën e betejës.

Të premten, Zelensky po viziton Berlinin dhe Parisin ku pritet të nënshkruajë pakte sigurie me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron.

Një marrëveshje e ngjashme mbi bashkëpunimin e sigurisë u nënshkrua midis Ukrainës dhe Mbreterise së bashkuar në janar.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota