Liderët botërorë e bëjnë përgjegjëse Rusinë për vdekjen e Navalnyt
BKT
Rajoni dhe Bota

Liderët botërorë e bëjnë përgjegjëse Rusinë për vdekjen e Navalnyt

Bardhyl Bajrami / RTK

Pas vdekjes së liderit opozitar rus Alexei Navalny kanë reaguar liderët botëror.

Zv/presidentja amerikane Kamala Harris e cila ndodhet në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Mynihut për Siguri, ka thënë se përgjegjëse për vdekjen e liderit opozitar është Rusia.

 “Nëse konfirmohet vdekja e liderit opozitar rus, kjo do të ishte një shenjë tjetër e brutalitet të presidentit rus Putin”, ka thënë Harris.

Presidenti ukrainas Zelensky, i cili gjithashtu ndodhet në Gjermani, ka thënë të jetë e qartë se Navalny u vra nga presidenti rus Vladimir Putin. “Putini nuk brengoset se kush vdes, për aq kohë sa ai e mban pozitën që ka”, ka thënë Zelensky.

Ministri polak i Punëve të Jashtme, Radoslaw Sikorski, ka thënë se Alexei Navalny është hero i cili u dënua në një gjykim me akuza të rreme.

"Ky është lajm i trishtë. Kjo, edhe një herë dëshmon për brutalitetin e pafund të regjimit rus", ka thënë kryeministri në largim i Holandës, Mark Rutte.

Shërbimi i burgut në Rrethin Arktik ka njoftuar sot për vdekjen e liderit opozitar rus. Në një deklaratë të lëshuar thuhet se Navalny pas një shëtitjeje të bërë sot nuk e ka ndjerë veten mirë. Ai ka humbur ndjenjat, ndërsa me urgjencë është thirrë ekipi mjekësor i cili është përpjekur ta ringjallë por pa sukses. Mjekët e emergjencës e kanë konstatuar vdekjen e të burgosurit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota