SHBA përgatit projekt-rezolutë për armëpushim të përkohshëm në Gazë
Dardan Ramabaja/ RTK
Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një projekt-rezolutë rivale të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për një armëpushim të përkohshëm në luftën Izrael-Hamas dhe kundërshton një ofensivë të madhe tokësore nga aleati i saj Izraeli në Rafah, sipas tekstit të parë nga agjensia e lajmeve Reuters.
Masa vjen pasi SHBA-ja sinjalizoi se do të vërë veton të martën për një rezolutë të hartuar nga Algjeria - që kërkon një armëpushim të menjëhershëm humanitar - mbi shqetësimet se mund të rrezikojë bisedimet mes SHBA-së, Egjiptit, Izraelit dhe Katarit që synojnë të ndërmjetësojnë një pauzë në luftë dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Deri më tani, Uashingtoni ka qenë kundër fjalës armëpushim në çdo veprim të OKB-së për luftën Izrael-Hamas, por teksti i SHBA-së i bën jehonë gjuhës që presidenti Joe Biden tha se ai përdori javën e kaluar në bisedat me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Propozimi synon që Këshilli i Sigurimit "të nënvizojë mbështetjen për një armëpushim të përkohshëm në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur, bazuar në formulën e lirimit të të gjithë pengjeve dhe bën thirrje për heqjen e të gjitha barrierave për ofrimin e ndihmës humanitare në shkallë".
Por, Shtetet e Bashkuara "nuk planifikojnë të nxitojnë" për një votim për lënë hapësirë për negociata, ka thënë të hënën një zyrtar i lartë i administratës amerikane, duke folur në kushte anonimiteti.
Për të kaluar, një rezolutë ka nevojë për të paktën nëntë vota pro dhe asnjë veto nga SHBA, Franca, Britania, Rusia apo Kina.
Drafti i tekstit të SHBA-së "përcakton se në rrethanat aktuale një ofensivë e madhe tokësore në Rafah do të rezultonte në dëme të mëtejshme për civilët dhe zhvendosjen e tyre të mëtejshme, duke përfshirë potencialisht në vendet fqinje".
Izraeli planifikon të sulmojë Rafah, ku janë janë strehur më shumë se 1 milion nga 2.3 milion palestinezë në Gaza, duke nxitur shqetësimin ndërkombëtar se një sulm do të përkeqësonte ndjeshëm krizën humanitare në Gaza.
Draft rezoluta e SHBA thotë se një veprim i tillë do të kishte implikime serioze për paqen dhe sigurinë rajonale, dhe për këtë arsye nënvizon se një ofensivë e tillë e madhe tokësore nuk duhet të vazhdojë në rrethanat aktuale.























