Donald Trump: Navalni ishte guximtar, por nuk duhet të kthehej në Rusi
RTSH
Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka theksuar se opozitari rus Alexei Navalny nuk duhet të ishte kthyer në Rusi, ku edhe gjeti vdekjen e papritur pak ditë më parë.
Presidenti amerikan, Joe Biden dhe udhëheqësit e tjerë perëndimorë kanë fajësuar kryeshtetarin Vladimir Putin për vdekjen e Navalnyt, por në një intervistë për "Fox News", Trump iu shmang kësaj pyetjeje.
"Ajo e Navalnyt është situatë shumë e trishtë dhe ai ishte një djalë shumë i guximshëm, sepse u kthye përsëri [në Rusi]. Ai mund të qëndronte larg. Sinqerisht, ndoshta do të kishte qenë shumë më mirë të qëndronte larg dhe të fliste nga jashtë vendit, pa nevojën për t'u rikthyer, sepse njerëzit e mendonin se mund të ndodhte kjo që ndodhi. Dhe është një gjë e tmerrshme", tha ish-presidenti republikan.
Kremlini ka mohuar përfshirjen në vdekjen e Navalnyt dhe ka thënë që pretendimet e Perëndimit se Putini është përgjegjës janë të papranueshme.
Trump ka shprehur admirim për presidentin rus gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë në vitet 2017-2021 dhe më pas - madje e ka krahasuar veten me Navalnin, duke nënkuptuar se të dy ishin përballur me përndjekje penale të motivuara politikisht.
"Po kthehemi në një vend komunist në shumë mënyra. Dhe po ta shihni - unë jam kandidati kryesor. Unë paditem," u shpreh ish-presidenti Trump gjatë intervistës.























