Netanyahu shpalos planin e tij për Gazën e pasluftës
Luan Qorraj / RTK
Kryeminsitri izraelit Bunjamin Netanyahu, ka shpalosur planin e tij për rripin e Gazës, pas përfundimit të luftës së tanishme. Në planin të cilin Netanyahu ia prezantoi ministrave të tij, parashihet krijimi i një territori të demilitarizuar në të cilin Izraeli do të kontrolloJë çështjet e sigurisë.
Plani i Netanyahut gjithashtu parasheh organizimin e programeve të ndryshme të "De-radikalizimit" në të gjitha institucionet arsimore, shkollore dhe fetare si dhe largimin e të gjitha organizatave dhe grupeve militante nga Gaza.
Por ky plan bie ndesh me planet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat në mënyrë aktive po tentojnë të gjejnë mënyrë për ndalimin e dhunës e cila deri me tani ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 30 mijë njerëzve, dhe të cilat dëshirojnë që Gaza, pas luftës të udhëhiqet nga autoriteti palestinez, i cili tanimë udhëheq Bregun Perëndimor.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende vazhdojnë të përkrahin të ashtuquajturën, zgjidhje dy-shtetërore, që nënkupton krijimin e një shteti palestinez, por Netanyahu vazhdon të refuzojë idenë e krijimit të një shteti të palestinezëve.
Ndërkohë, përfaqësuesit e autoritetit palestinez kanë thënë se plani i Netanyahut do të dështojë dhe kanë shtuar se e vetmja zgjidhje për arritjen e një paqe afatgjatë në lindjen e mesme është krijimi i shtetit të pavarur të Palestinës.























