Varroset Alexei Navalny, nuk ishin të pranishëm gruaja dhe fëmijët
Bardhyl Bajrami /RTK
Në periferi të Moskës, në varrezat Borisovskoye, është varrosur Alexei Navalny, lideri opozitar rus i cili vdiq më 16 shkurt në një burg në Siberi. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë mijëra persona por që nuk ka ndonjë shifër të përafërt. Raportohet se ky është grumbullimi më i madh i njerëzve të opozitës në Rusi që nga arrestimi i Navalnit në janar 2021.
Të pranishmit kanë brohoritur ‘Jo luftës’, ‘Rusia pa Putinin’, dhe ‘Rusia do të jetë e lirë’.
Bashkëshortja e Navalnit dhe dy fëmijët, të cilët jetojnë jashtë vendit, kanë vendosur të mos udhëtojnë në Rusi për varrimin e bashkëshortit, respektivisht babait, nga frika e persekutimit nga Kremlini.
Pak pas ceremonisë së varrimit, përmes një deklarate ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë duke e quajtur liderin opozitar ‘një shembull të ndritshëm të asaj që Rusia mund dhe duhet të jetë’.
Ambasadorja amerikane në Rusi Lynne Tracy bashkë me përfaqësuesin gjerman e francez janë parë duke vënë lule në përkujtim të liderit opozitar dhe kanë marrë pjesë në varrim.
Ceremonia e varrimi është transmetuar drejtpërdrejt në kanalin e Navalnit në youtube, i cili është i ndaluar në Rusi.
Në ceremoninë e varrimit ka pasur prezencë të shtuar të frocave policore. Sipas grupit monitories për të drejtat e njeriut OVD-Info, në mbarë Rusinë janë arrestuar më shumë se 45 persona.
Në Novosibirsk janë arrestuar 18 persona, në Ekaterinburg 10 dhe 10 të tjerë në rajonin Voronezh. E në Moskë janë arrestuar 6 persona, përfshirë një politikan opozitar.























