Një armëpushim në Gaza mund të arrihet së shpejti
Dardan Ramabaja/ RTK
Rriten shpresat për një marrëveshje të re të përkohshme për armëpushim në Gaza, në bisedimet që po zhvillohen në Egjipt.
Një delegacion i Hamasit ka arritur në Kajro të Egjiptit, teksa rriten shpresat për një armëpushim të ri në luftën Izrael-Gaza. Një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti ka thënë se Izraeli e ka "pranuar pak a shumë" marrëveshjen.
Shtetet e Bashkuara thonë se pauza gjashtë-javore do të sjellë lirimin e më shumë pengjeve izraelitë dhe të burgosurve palestinezë.
Zyrtarët egjiptianë, të cilët kanë drejtuar bisedimet me Katarin, thanë se delegacionet nga Hamasi dhe Izraeli pritej të merrnin pjesë në negociata.
Hamasi raportohet të ketë thënë se një marrëveshje për një armëpushim mund të arrihet brenda 24 deri në 48 orëve të ardhshme, me një burim nga grupi që u tha mediave egjiptiane se një marrëveshje varej nga pranimi i kërkesave të tyre nga Izraeli.
Pritjet për një marrëveshje u ngritën pasi një zyrtar i lartë amerikan tha se Izraeli nga ana e tij ishte pajtuar në thelb për një armëpushim gjashtë-javor.
Presioni për një marrëveshje u intensifikua pas incidentit të së enjtes jashtë qytetit të Gazës në veri të territorit, ku të paktën 112 njerëz u vranë ndërsa turmat nxituan një kolonë ndihmash.
Hamasi ka akuzuar Izraelin se ka qëlluar mbi civilët teksa ata përpiqeshin të merrnin ushqim. Izraeli tha se shumica vdiqën në një përplasje pasi qëlloi të shtëna paralajmëruese.
Ndërkohë të shtunën SHBA kanë hedhur ushqim dhe ujë në Gaza për 38,000 racione.
Presioni për një armëpushim është rritur pas paralajmërimeve nga organizatat e ndihmës se ekziston rreziku i urisë në Gazën veriore.
Kreu i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve Jan Egeland, pas vizitë tre-ditore në Gaza ka thënë se ai ishte i përgatitur për parë makthin, por sipas tij është edhe më keq se kaq.























