Dhuna në Haiti, bandat lirojnë 4.000 të dënuar nga burgu kryesor
BKT
Rajoni dhe Bota

Dhuna në Haiti, bandat lirojnë 4.000 të dënuar nga burgu kryesor

RTSh

Bandat e armatosura kanë sulmuar burgun kryesor në kryeqytetin e Haitit, Port-o-Prins, duke liruar shumë të burgosur.

Shumica e rreth 4 mijë burrave, që mbaheshin në burg, tani janë arratisur, raportoi për BBC një gazetar vendas.

Në mesin e të dënuarve ishin anëtarë të bandës së akuzuar në lidhje me vrasjen e presidentit Xhovenel Mois (o. Jovenel Moïse).

Haiti është vendi më i varfër në Amerikë dhe dhuna është përkeqësuar vitet e fundit. Bandat që duan të heqin kryeministrin Ariel Henri (o. Henry) kontrollojnë 80% të Port-o-Prinsit.

Ngjarja e fundit filloi të enjten, kur kryeministri udhëtoi për në Nairobi për të diskutuar dërgimin në Haiti të një force shumëkombëshe të udhëhequr nga Kenia.

Të premten, presidenti kenian Uilliam Ruto (o. William) tha që ai dhe z. Henri kishin nënshkruar një marrëveshje dhe po punonin për të zbatuar shpejt.

Në janar, Kombet e Bashkuara njoftuan se vitin e kaluar më shumë se 8.400 njerëz ishin viktima të dhunës së bandave të Haitit, të përfshirë në vrasjet, plagosje dhe rrëmbime - dyfishi i bilancit nga 2022.

Dhuna është rritur që nga vrasja e presidentit Mois në vitin 2021. Ai nuk është zëvendësuar dhe zgjedhjet në vend nuk mbahen  që nga viti 2016.

Sipas një marrëveshjeje, zgjedhjet duhej të zhvilloheshin pas largimit të z. Henri më 7 shkurt, por kjo nuk ndodhi.

Në fundjavë ambasada franceze në Haiti këshilloi që të mos udhëtohet brenda kryeqytetit. Sindikata e policisë në Haiti i ka kërkuar ushtrisë që të ndihmojë në përforcimin e burgut. /BBC


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota