Suedia zyrtarisht në NATO
Bardhyl Bajrami|RTK
Suedia zyrtarisht është bërë anëtarja e 32-të e Aleancës Veriatlantike, NATO-s, pas përfundimit të procesit të anëtarësimit në Uashington.
Dorëzimi i dokumenteve u bë gjatë një ceremonie, dy vjet pas aplikimit për t’iu bashkuar Aleancës e këtë e bëri pas fillimit të luftës së Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
Kryeministri i Suedisë Ulf Kristersson, tha se uniteti dhe solidariteti do të jenë drita udhëzuese për Suedinë, ndërsa sekretari amerikan i shtetit Antoni Blinken, tha se gjërat e mira vijnë për ata që presin.
Ka reaguar edhe sekretari i aleancës Jens Stoltenberg, i cili në një deklaratë në X, ka thënë se Suedia me vete sjell forca të armatosura të afta dhe një industri të klasit të parë të mbrojtjes.
Aleanca u bë më e fuqishme dhe më e sigurt, ka shtuar Stoltenberg.
Suedia për anëtarësim në NATO kishte aplikuar pas fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë por që aplikimi i saj ishte bllokuar nga dy anëtare të NATO-s, Turqia dhe Hungaria.
Politika e Suedisë për të qenë neutrale ka zgjatur për 200 vjet.























