Shtatë kandidatë në garën për president të Maqedonisë së Veriut
Sh.Çoçaj/RTKlive
Shtatë kandidatë do të garojnë në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut që do të mbahen më 24 prill.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në premten në mesnatë, shtatë nga njëmbëdhjetë kandidatët e paraqitur kanë arritur të mbledhin nga 10.000 nënshkrime, sa janë të nevojshme për të marrë pjesë në garën presidenciale.
VMRO DPMNE-ja opozitare në zgjedhje do të garojë me deputetët aktuale Gordana Siljanovska Davkova, e cila ka mbledhur 28.000 nënshkrime.
Lidhja Social Demokrate në pushtet do të garojë me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, i cili në KSHZ ka dorëzuar rreth 22.000 nënshkrime.
Në garën zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili ka grumbulluar rreth 11.000 nënshkrime, ndërsa opozita e bashkuar shqiptare me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit, i cili grumbulloi më shumë se 10.000 nënshkrime.
Pjesë e garës zgjedhore do të jetë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i komunës së Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.
Renditja e kandidatëve për në listën votuese do të bëhet e ditur pas shortit, që do të hidhet më 28 mars. Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa i dyti, së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.
Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.























