Haiti nën mëshirën e bandave
Dardan Ramabaja / RTK
SHBA-ja dhe vende të tjera kanë evakuuar pjesën më të madhe të personelit nga Haiti, i cili po shkon drejt kolapsit, pasi bandat kanë marrë shumicën e kontrollit.
Gjatë fundjavës, dhuna në kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince u rrit edhe një herë. Banda të armatosura rëndë sulmuan Pallatin Kombëtar dhe i vunë flakën me molotovë një pjese të Ministrisë së Brendshme.
Dhuna vjen pas një sulmi të vazhdueshëm në aeroportin ndërkombëtar, i cili mbetet i mbyllur për të gjitha fluturimet, përfshirë edhe atë të kryeministrit Ariel Henry.
Ai u përpoq të kthehej në Haiti nga Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, por aeroplanit të tij iu refuzua leja për ulje.
Kryeministri tani ka ngecur në Porto Riko, i paaftë për të shkelur në vendin që ai gjoja drejton.
Mes atyre që arritën të hynin në Haiti, ishte një grup i personelit ushtarak amerikan.
Pas një kërkese të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Pentagoni konfirmoi se kishte kryer një operacion siç tha, për të "rritur sigurinë" e ambasadës amerikane në Port-au-Prince dhe transportimin ajror të të gjithë stafit jo thelbësor në siguri.
Menjëherë pas kësaj, ambasadori gjerman dhe disa diplomatë të BE-së ndoqën shembullin. Miliona haitianë, megjithatë, thjesht nuk e kanë atë luks. Ata janë të bllokuar, pavarësisht sa keq shkojnë gjërat, në krizën më të madhe humanitare që nga tërmeti i vitit 2010.
Situata është e rëndë në Spitalin e Universitetit Shtetëror të Haitit, i njohur si spitali i përgjithshëm, në qendër të qytetit Port-au-Prince.























