Blinken viziton Lindjen e Mesme për të diskutuar për Gazën
BKT
Rajoni dhe Bota

Blinken viziton Lindjen e Mesme për të diskutuar për Gazën

Flututra Bekqeli /RTK

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, po viziton Lindjen e Mesme për të diskutuar një plan të pasluftës për të qeverisur dhe siguruar Gazën.

Blinken pritet të udhëtojë sot në Kajro për të takuar udhëheqësit egjiptianë.

Bisedimet e sekretarit amerikan te shtetit, Antony Blinken me liderët arabë në Arabinë Saudite dhe, më pas, në Egjipt, do të fokusohen në atë që SHBA e quan "një arkitekturë për paqe të qëndrueshme".

Kjo vjen pasi dëshmitarët thanë se forcat izraelite kishin përshkallëzuar operacionin e tyre rreth spitalit al-Shifa në qytetin e Gazës, duke kryer një numër sulmesh ajrore.

Më herët, ushtria izraelite tha se kishte vrarë 90 persona të armatosur atje që nga e hëna.

Më vete, negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit po vazhdojnë në Katar për të arritur një armëpushim dhe lirimin e pengjeve. Por ka pak shenja se një përparim është i afërt.

Në udhëtimin e gjashtë në rajon, që nga fillimi i luftës në Gaza, sekretari Blinken zbarkoi në Jeddah, të mërkurën pasdite, për të takuar udhëheqjen saudite.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha se ata do të diskutojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për të rritur dërgesat e ndihmave në Gaza, mes paralajmërimeve të mëtejshme të tmerrshme për shkallën e krizës humanitare atje.

Një vlerësim i sigurisë ushqimore i mbështetur nga OKB këtë javë tha se 1.1 milion njerëz në Gaza po luftonin me urinë, duke shtuar se një krizë e urisë e shkaktuar nga njeriu në veri do të ishte e pashmangshme, nga tani deri në maj.

Gjithashtu në agjendë do të jetë "koordinimi për planifikimin pas konfliktit për Gazën, duke përfshirë sigurimin që Hamasi të mos mund të qeverisë ose të përsërisë më sulmet e 7 tetorit, një rrugë politike për popullin palestinez me garanci sigurie me Izraelin, dhe një arkitekturë për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në rajon”, shtoi Miller.

Blinken do të udhëtojë në Kajro të enjten për të takuar udhëheqësit egjiptianë.

Amerikanët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje të madhe që do ta kthente Autoritetin Palestinez, të njohur ndërkombëtarisht, në Gaza për herë të parë që kur u dëbua nga Hamasi, 17 vjet më parë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota