Izraeli vazhdon me operacione në Rripin e Gazës
Luan Qorraj / RTK
Raportet e fundit nga Rripi i Gazës thonë se forcat Izraelite kanë vazhduar me operacione në pjesët e ndryshme të territorit, duke kryer sulme ajrore dhe duke zhvilluar operacione tokësore.
Është raportuar se luftimet më të ashpra janë zhvilluar pranë spitalit AL Shifa. Tel-Avivi nuk dha informata të detajuara rreth përleshjeve të sotme, përfaqësuesit e Hamasit i kanë thënë mediave se luftimet filluan pasi që luftëtarët e Hamasit hapën zjarr nga mortajat dhe raketahedhësit drejtë një grupi të ushtarëve dhe tankeve Izraelite që gjendeshin pranë spitalit.
Ky spital, dhjetë ditë më parë, ka qenë cak i një bastisjeje të madhe të forcave Izraelite dhe, edhe pse ato u tërhoqën nga Al Shifa, forcat izraelite vazhduan me operacione për rreth spitalit - sipas Tel Avivit, gjatë kësaj periudhe, në incidente të ndryshme, forcat Izraelite kanë vrarë më shumë se 200 luftëtarë të Hamasit, por përfaqësuesit Palestinez thonë se shumë prej viktimave kanë qenë civil. Njëkohësisht, mjekët në AL Shifa kanë thënë se së paku 5 pacientë kanë vdekur për shkak të bllokimit të spitalit dhe kanë shtuar se së shpejti ky numër do të rritët edhe më tej.
Gjithashtu është bërë e ditur se Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë rrethuar edhe spitalet Nasser dhe Al Amal në Khan Younes, duke lënë kështu mijëra pacientë, shumë në rrezik jetësor, nën bllokim ushtarak.
Ka njoftime edhe se forcat izraelite kanë hyrë në spitalin AL Amal ku janë zhvilluar përleshje.
Tel Avivi ka thënë se forcat Izraelite po zhvillojnë operacione kundër luftëtarëve të Hamasit të cilët po vazhdojnë të fshihen në ndërtesa publike civile, por përfaqësuesit e ministrisë së shëndetësisë në Gaza thonë se këto bllokime janë pjesë e strategjisë më të gjerë të Tel Avivit i cili, sipas tyre, dëshiron të përkeqëson edhe më tej kushtet e jetës në Gaza.























