Zgjedhjet në Turqi, garë e ashpër po zhvillohet për Stambollin
Dardan Ramabaja/ RTK
Miliona turq po votojnë në zgjedhjet lokale për të vendosur se kush do të drejtojë qytetet e tyre më të mëdha, dhe nëse presidenti Rexhep Tajip Erdogan, do të mund ta marrë kontrollin nga opozita në Stamboll.
Turqit filluan të votojnë të dielën në zgjedhjet lokale të fokusuara në përpjekjen e presidentit Tajip Erdogan për të rimarrë kontrollin e Stambollit nga rivali Ekrem Imamoglu, i cili synon të ri-kthejë opozitën pas disfatës së ashpër në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar. Sondazhet sugjerojnë një garë të ngushtë në Stamboll mes Imamoglu dhe kandidatit të AKP-së ish- ministrit Murat Kurum.
Fuqia ekonomike dhe sociale e Turqisë, Stambolli, u fitua nga opozita e bashkuar pesë vjet më parë nën kryebashkiakun popullor Ekrem Imamoglu, duke shkatërruar suksesin e gjatë elektoral të presidentit.
Tani Erdogan, i cili ka lindur në këtë megaqytet prej 16 milionë banorësh, synon ri-kthimin e partisë së tij në pushtet.
Çfarëdo që të ndodhë në Stamboll po shihet si një provë vendimtare nëse opozita mund të përbëjë një kërcënim serioz për zotin Erdogan dhe Partinë e tij AK në zgjedhjet e ardhshme presidenciale pas katër viteve.
Rezultatet ka të ngjarë të formësohen pjesërisht nga problemet ekonomike të nxitura nga inflacioni i shfrenuar afër 70%, dhe nga votuesit kurdë dhe islamikë që peshojnë performancën e qeverisë dhe shpresat e tyre për ndryshim politik.
Ndërsa çmimi kryesor për Erdoganin është Stambolli, ai gjithashtu kërkon të rifitojë kryeqytetin Ankara. Të dy qytetet u fituan nga opozita më 2019 pasi ishin nën qeverisjen e AKP-së për 25 vite.
Perspektivat e Erdoganit janë ndihmuar nga kolapsi i aleancës opozitare që ai mundi vitin e kaluar, megjithëse Imamoglu ende u bën thirrje votuesve përtej Partisë së tij kryesore opozitare Republikane Popullore.
Votuesit e partisë kryesore pro-kurde ishin vendimtare për suksesin e Imamoglu në 2019. Partia e tyre DEM këtë herë po nxjerr kandidatin e saj në Stamboll, por shumë kurdë pritet të lënë mënjanë besnikërinë e partisë dhe të votojnë përsëri për Imamoglu.
Votimi përfundon në orën 17:00, ndërsa dhe rezultatet fillestare priten deri në orën 22:00 sipas kohës lokale.























