Turqi, partia më e madhe opozitare CHP kryeson në Stamboll e Ankara
BKT
Foto: Arkiv
Rajoni dhe Bota

Turqi, partia më e madhe opozitare CHP kryeson në Stamboll e Ankara

Luan Qorraj/RTK

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale në Turqi tregojnë se, sipas të gjitha gjasave, partia më e madhe opozitare do të shënojë fitore në dy qytetet më të mëdha dhe më të rëndësishme të vendit, Stamboll dhe Ankara . Madje, sipas shumë projeksioneve, partia më e madhe opozitare CHP do ta merr edhe shumicën e përgjithshme të votave.

Rezultatet jo-përfundimtare të numërimit të votave të hedhura në zgjedhjet lokale të Turqisë tregojnë se dy qytetet më të mëdha dhe më të rëndësishme të vendit, Stambolli dhe Ankara gjatë katër viteve të ardhshme do të udhëhiqen nga përfaqësuesit e partisë më të madhe opozitare në vend, Partisë Popullore Republikane (CHP).

Kjo po shihet si goditje e madhe për partinë në pushtet, Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), si dhe presidentin Turk Recep Tayip Erdogan.

Sipas mediumeve turke, pas hapjes së rreth 71% të kutive të votimit, në Stamboll  kryebashkiaku i tanishëm, Ekrem Imamoglu ka mbi 50% të votave ndërsa kundërshtari i tij, nga AKP, Murat Kurum  40.6%,  përderisa në kryeqytetin Ankara, kandidati i CHP-s, Mensur Yavas , ka mbi 59% të votave, në krahasim me 32.8 % të cilat i mori kandidati i AKP-s, Trugut Altinok.

Përveç në  Stamboll dhe Ankara, CHP po udhëheqë në shumicën e qyteteve të  mëdha të vendit përderisa projeksionet tregojnë se, kjo parti do të merr shumicën e votave edhe në nivel kombëtar.

Nëse këto rezultate qëndrojnë deri në fund, kjo do të jetë hera e parë që CHP merr numrin më të madh të votave në nivel kombëtar që nga viti 1977.

Ndërkohë, është njoftuar se në disa vendvotime të Turqisë Lindore ka pasur incidente të dhunshme gjatë së cilave janë vrarë tre dhe janë plagosur së paku 5 persona të tjerë. Sipas zyrtarëve incidentet janë shkaktuar nga disa parregullsi në listat e kandidatëve lokal.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota