Drilon Islami `Ylli i Javës` në Superligë
N. M./RTKlive
Drilon Islami është fitues i çmimit “Ylli i Javës” në Superligë, që jepet pas çdo xhiroje nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Futbollisti i Prishtinës u vlerësua si më i miri i javës së 27-të nga komisioni i përbërë nga veteranë të futbollit. Sipas komisionit, pika e arkëtuar nga Prishtina në ndeshjen kundër Ballkanit, ishte meritë e organizimit të lojës nga Islami.
E pasi mori këtë çmim futbollisti i bardhekaltërve u shpreh i lumtur që për herë të parë u vlerësua si më i miri i javës.
“Jam shumë i lumtur që jam zgjedhur ‘Ylli i Javës’. Pa ndihmën e bashkëlojtarëve dhe stafit nuk do të mund të kisha një sezon kaq të mirë, andaj i falënderoj të gjithë. Ky çmim është një motiv shtesë që të vazhdoj tutje nga ndeshja në ndeshje të arkëtojmë pikët maksimale që ta arrijmë synimin tonë – daljen në Evropë. Nesër na pret një ndeshje e vështirë në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës, por duke e ditur objektivin e klubit, do ta japim maksimumin për të arritur finalen dhe për ta fituar këtë trofe”, tha Drilon Islami për faqen zyrtare të FFK-së.























