BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO
Muharrem Miftari/RTKlive
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj një deklarate për medie të partisë opozitare në Maqedoni të Veriut, VMNRO-DPMNE, lidhur me mundësinë e bashkëpunimit me BDI-në. Kjo deklaratë, sipas BDI-së, sfidon bashkëjetesën dhe tolerancën ndëretnike.
Në një deklaratë për media, nënkryetari i VMRO-së, Aleksandar Nikollovski, tha se bashkëpunimi ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së pas zgjedhjeve është i pamundur.
BDI ka reaguar ndaj kësaj deklarate, duke bërë me dije, sikundër thuhet në komunikatë, se VMRO dhe derivatet e saj te opozita shqiptare duhet ta dijnë se qytetarët janë partnerë kryesorë të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe pikërisht qytetarët vendosin se kush do të udhëheq Qeverinë në mandatin e ardhshëm.
“Në mungesë të ofertës për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët dhe të frikësuar se fitorja e thellë e presidentit në ardhje - Bujar Osmani dhe e Frontit Evropian, VMRO dhe opozita shqiptare po vazhdojnë me fjalorin e pistë zgjedhor, duke dashur të minimizojnë çdo ndryshim që i ka ndodhur vendit dhe qytetarëve. Fronti Evropian është koalicion serioz, me përgjegjësi të madhe që për detyrë kryesore e ka trasimin e rrugës evropiane të shtetit dhe jo lojërat me fjalë që, për pikë politike, e vënë në pikëpyetje të ardhmen e vendit dhe qytetarëve të saj”, thuhet në komunikatë.























