Mes shtatë kandidatëve për president edhe dy shqiptarë, Osmani e Taravari
BKT
Rajoni dhe Bota

Mes shtatë kandidatëve për president edhe dy shqiptarë, Osmani e Taravari

Besnik Iseni/ RTK

Në Maqedoninë e Veriut nisi sot zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen më 24 prill. Për kreun e shtetit garojnë gjithsej shtatë kandidatë, prej të cilëve dy janë shqiptar, Arben Taravari dhe Bujar Osmani.

Kandidati për president nga radhët e BDI-së Bujar Osmani, tha se shpreson të jetë president i Maqedonisë së Veriut, e cila do të bëhej anëtare e BE-së.

"Vendi jonë është në udhëkryq. Një rrugë çon drejt të ardhmes së ndritshme kurse rruga tjetër çon drejt izolimit paqartësisë dhe pa perspektivës. Këto zgjedhje nuk janë zgjedhje të rëndomta por hanë referendum popullor për të ardhmen e vendit tonë", tha Bujar Osmani, kandidat presidencial i "Frontit Evropian".

Kandidati i koalicionit VLEN , Arben Taravari gjatë shpalosjes së programit politik tha se nëse zgjidhet president shteti, do të angazhohet që Maqedonia e Veriut të jetë shtet i së drejtës dhe e integruar në rajon dhe Evropë.

"Do të angazhohem për anulimin e ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023 që ishin anti evropiane dhe të dëmshme në luftën kundër korrupsionit, duke rritur edhe më tej pandëshkueshmërinë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Si President i Republikës, zotohem se nuk do të dekretoj shpalljen e ligjeve laksiste që e largojnë edhe më tej vendin nga normat evropiane", tha kandidati i koalicionit VLEN, Arben Taravari.

Në garë për president shteti janë edhe presidenti aktual Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska nga opozita maqedonase, Biljana Vankovska e partisë "E Majta”, dhe Maksim Dimitrievski nga partia “Për Maqedoninë” dhe Stevçe Jakimovski nga GROM.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota