Rusia vazhdon me sulme raketore kundër Ukrainës, Kievi kërkon ndihmë
Luan Qorraj/RTK
Forcat Ruse kanë vazhduar me sulme raketore kundër qyteteve dhe infrastrukturës civile në Ukrainë si dhe me sulme përgjatë vijës së frontit. Sipas Kievit, i cili vazhdon të bën apele për ndihma ushtarake, luftimet më të ashpra tani po zhvillohen në Chasiv Yar dhe rrethinë por, aktualisht mbrojtësit po arrijnë të ndalojnë përparimin Rus në terren.
Forcat Ruse kanë vazhduar me sulme kundër caqeve civile, përfshirë qytetet dhe infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Sipas njoftimeve, edhe pse shumica e raketave dhe fluturakeve pa pilot të drejtuara kundër elektraneve në Ukrainë u ndaluan, disa prej raketave balistike arritën të kalojnë mbrojtjet ajrore dhe të godasin ndërtesa të banimit në Kharkriv, Kupiansk dhe Huliapole, mes tjerësh, duke shkaktuar dëme dhe viktima civile.
Njëkohësisht, nga Rusia është raportuar se grupet e luftëtarëve rus të cilët po luftojnë kundër regjimit në Kremlin, kanë vazhduar me sulme në Bolgorod dhe rrethinë duke goditur disa pika të infrastrukturës ushtarake.
Ndërkohë, nga fronti, njoftohet se Rusia ka vazhduar me sulme të njësiteve të motorizuara përgjatë vijës së frontit. Luftimet më të ashpra po raportohen në Chasiv Yar, ku gjatë ditëve të kaluara, forcat Ruse humbën mijëra ushtarë dhe një sasi të madhe të tankeve dhe autoblindave, në tentim për të marrë territor.
Edhe pse mbrojtësit po vazhdojnë të mbajnë pozitat, duke i shkaktuar humbje Rusisë, Kievi zyrtar ka vazhduar të bëjë apel për ndihma ushtarake duke thënë se mungesa e municionit dhe mjeteve tjera po e bën tejet të vështirë mbrojtjen nga këto sulme.
Sipas analizave, momentalisht, forcat Ruse përdorin nga 12 predha artilerike për çdo predhë që e përdorë Ukraina dhe kjo situatë është përgjatë vijës së frontit. Sipas Kievit dhe analistëve ushtarak perëndimor, Moska është duke përgatitur një ofensivë të madhe gjatë javëve të ardhshme dhe sulmet momentale kanë për qëllim "matjen" e mbrojtjeve ukrainase dhe gjetjen e pikave të dobëta.
Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në rast që qeveria amerikane nuk arrin të zhbllokon paketën prej 60 miliardë dollarësh për ndihma Ukrainës, të cilën Partia Republikane e ka bllokuar që disa muaj, Ukraina do ta humbë luftën.























