Bajrami festohet si festë zyrtare në vendet me shumicë myslimane
BKT
Rajoni dhe Bota

Bajrami festohet si festë zyrtare në vendet me shumicë myslimane

Hanife Osmani | RTK

Besimtarët mysliman nesër përmbyllin ciklin 30 ditorë të muajit të shenjtë të Ramazanit i cili kurorëzohet me festën e Fitër Bajramit në gjithë botën.

Mesazhet e komunitetit mysliman për këtë muaj përçojnë paqen, solidaritetin dhe mirësinë mes njeri-tjetrit.

Për myslimanët në mbarë botën muaji i shenjtë i Ramazanit përfundon nesër,  kështu duke plotësuar 30 ditët e agjërimit. Fitër Bajrami, “festa e agjërimit”, festohet në fund të muajit të agjërimit të Ramazanit nga myslimanët në mbarë botën. Dita e parë e Bajramit do të festohet të mërkurën më 10 prill.

Në mbarë botën ka rreth 1.9 miliardë myslimanë të cilët përbejnë afërsisht 25 për qind të popullsisë së botës. Indonezia ka popullsinë më të madhe myslimane në botë, me rreth 240 milionë myslimanë që jetojnë në vend. Pakistani është i dyti me rreth 225 milionë myslimanë, India 211 milionë, Bangladeshi 155 milionë dhe Nigeria 111 milionë.

Tradicionalisht, Bajrami festohet për tre ditë si festë zyrtare në vendet me shumicë myslimane. Megjithatë, numri i ditëve të pushimeve ndryshon sipas vendit. Myslimanët fillojnë festimet e ditës së Bajramit duke marrë pjesë në një shërbim lutjesh pak pas agimit. Dita kalon duke vizituar të afërmit dhe fqinjët, duke pranuar ëmbëlsirat dhe duke uruar për Bajramin ndërsa lëvizin nga shtëpia në shtëpi. Urimi më popullor është “Eid mubarak” që nënkupton Bajram të bekuar ose “Eid sa’id” Gëzuar Bajramin. Urimet e Bajramit gjithashtu ndryshojnë në varësi të vendit dhe gjuhës.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota